E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në festën e vullnetarëve, Prifti: Nëse ai nuk ikën, nuk ka aleancë PS-LSI

 

Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, në një intervistë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Tv Klan, shprehet se bashkëpunimi i LSI-së me PS do të vijë vetëm kur në krye të saj të mos jetë Edi Rama dhe t’i jetë hapur rrugë një filozofie të re bashkëpunimi me aleatët. Sipas tij, Rama nuk është treguar asnjëherë mirënjohës i ndihmës që i është dhënë ndër vite nga Ilir Meta dhe LSI, për t’u bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, madje ka punuar kundër saj në zgjedhjet e fundit.
Përse javën e parë pas zgjedhjeve, ende kur rezultati nuk ishte krejtësisht i fiksuar, por kuptohej që PD-ja do të kishte 70 deputetë, ju deklaruat se nëse do të duhej mandati juaj, ai mund të bëhej i 71-ti për maxhorancën e djathtë. Kurse siguruat se mandati juaj nuk do të shkonte kurrë në favor të Edi Ramës. Përse ky vendim?
Për mua ka qenë një vendim jo i vështirë, absolutisht jo i vështirë. Pasi gjatë gjithë kohës që unë jam marrë me politikë dhe Edi Rama ka pasur një rol të rëndësishëm në PS, kam qenë kundër tij.
Përse?
Edi Rama më është dukur në të gjitha aspektet një njeri i cili është bosh, një njeri i cili është aktor i mirë, di të manipulojë mediat, të manipulojë miqtë dhe shokët. Por s’më është dukur asnjëherë kalli i mbushur.
Kur e keni njohur z. Rama?
Në vitin 2000, kur unë kam qenë shef kabineti në qeverinë e zotit Meta, atëherë ai ishte Ministër i Kulturës dhe vinte përditë te zoti Meta. Unë, duke qenë personi që drejtoja stafin e tij, vinte përditë edhe tek unë. Që njohjet e para kanë qenë jo nga ato që të lënë mbresa, ka qenë me shumë mangësi për z. Rama.
Në ç’kuptim?
Mbaj mend kur në vitin 2000, z. Rama dëshironte të kandidonte për kryetar bashkie për herë të parë. Nga ministër, vinte tek z. Meta përditë duke qëndruar më shumë se gjysmën e ditës te paradhoma e tij për t’i mbushur mendjen z. Meta që të ishte kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës. Megjithatë e arriti atë dhe e bindi z. Meta. Unë mbaj mend një rast shumë të veçantë për të hedhur dritë për të atë si njeri. Ka ardhur një letër nga SHISH tek zoti Meta, ku thoshte që strukturat e PD-së do të përdornin mjete filmike nga familja, nga ish-gruaja e z. Rama, apo djali i z. Rama për t’ia përdorur atij në fushatë elektorale. Në atë kohë, ai nuk kishte lidhje as me ish-bashkëshorten dhe as me djalin e tij. Mbaj mend që zoti Meta e mori në zyrë dhe i tha që këto informacione kemi dhe duhet të gjesh patjetër një mënyrë që të miqësohesh me familjen tënde, që të afrosh djalin tënd. Mbaj mend një reagim skandaloz të tij, që nuk... Djali i vet ishte 13-vjeç në atë kohë dhe ky s’e kishte takuar dhe njohur asnjëherë atë, dhe nuk pranonte...
...Mbaj mend që ai e ka takuar para vitit 2000...
Unë po të them që e mbaj mend shumë mirë. Janë shpalosur ngjarjet para syve të mi, ishte koha kur do të kandidonte për herë të parë në Bashki. Erdhi letra dhe e ka detyruar zoti Meta që të dilte në televizion dhe të njihte djalin e vet 13-vjeç, dhe që atëherë me të thënë të drejtën, unë një njeri, i cili nuk mund të jetë për familjen e vet, nuk mund të jetë as për bashkinë dhe as për shqiptarët. Që atëherë kam pasur një pishmanllëk të madh, për çdo mbështetje që mund t’i jepja atij lloj personi.
Por gjithsesi ai ka pasur karrierë mbresëlënëse...
Unë nuk mund të them se nuk ka pasur sukses, sigurisht ka pasur sukses duke u mbështetur nga disa njerëz që sot nuk e mbështesin më, janë kundërshtarë, si Ilir Meta dhe Fatos Nano. Ata të dy e bënë Edi Ramën, unë të dyve atyre i vë faj të madh, që një njeri mostër e paraqitën si një njeri normal.
Nuk mund ta bëjnë dy njerëz një të tretë, duhet të jetë edhe ai vetë që të bëhet z. Prifti...
Nuk po them që z. Rama është i paaftë për të qenë aktor. Ai është shumë i aftë për të qenë aktor dhe shumë i aftë për të qenë intrigant. Arriti të penetronte mes atyre të dyve, t’i armiqësonte ata të dy me njëri-tjetrin, të gjente aleanca në PS për të larguar njërin apo tjetrin.
Ju mendoni që ishte z. Rama që ndërhyri për t’i çarë ata të dy?
Pa diskutim.
Keni fakte, apo fjalë në përgjithësi?
Që nga viti 2000 unë s’jam ndarë asnjë ditë nga Ilir Meta. Jam kthyer në vitin 2000 në Shqipëri, pas studimeve, kam filluar punë si shef i kabinetit të Kryeministrit, pastaj drejtor KESH-i, pastaj deputet, ministër. Gjatë gjithë kohës kam qenë pranë Ilir Metës dhe pas vitit 2000, historinë e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të Ilir Metës e njoh shumë mirë. Edi Rama vinte te zyra ime dhe përgatiste deklarata për shtyp të Ilir Metës kundër Sali Berishës, deklaratat për shtyp kundër Fatos Nanos. Ka qenë një zar të cilin Ilir Meta e përdorte për t’i shkruar deklaratat.
Një ministër mund t’i shkruajë...
Dakord, nuk ka asgjë. I shkruante me një gjuhë, unë ia thosha shumë herë Ilir Metës atëherë, me një gjuhë skandaloze, nuk mund t’i shkruash Kryeministrit një deklaratë ku ta quajë kryetarin e opozitës apo kryetarin e partisë së vet, kriminel apo lloj-lloj fjalësh. Mbaj mend që Edi Rama ka shkruar një herë një deklaratë të cilën do ta mbante Monika Kryemadhi, pasi Berisha e kishte akuzuar atë për diçka dhe Monika do të lexonte një deklaratë siç e kishte shkruar Edi Rama. Unë për fat e lexova, se e shkroi në kompjuterin e zyrës sime, nuk mund të vihej në gojën e zonjës së Kryeministrit një fjalor rrugaçëror, si ai që përdorte Edi Rama. Edi Rama çdo ditë është përpjekur t’i bëj pis këto lloj figurash që ka pasur PS, Fatos Nanon dhe Ilir Metën, që t’i fuste në grindje ata me njëri-tjetrin. Unë kam bindjen se siç i di unë, i dini edhe ju shumë histori. Historinë e vajtjes me lule në Athinë, ku Metën e frynte për t’u zënë me Nanon. Rama ishte një dirigjent shumë i suksesshëm i shkatërrimit të Partisë Socialiste, i prishjes së Metës me Nanon. Atëherë në fakt filloi shkatërrimi i PS-së, në 2001, kur filloi katarsisi i zotit Nano...
T’i kthehemi pyetjes fillestare. Pse deklaruat se do t’i jepni votën tuaj Sali Berishës?
Deklarova sepse PS duhet të qëndronte të paktën katër vjet në opozitë. Edi Rama duhet të iki prej andej. Ajo parti duhet të reformohet dhe të rinovohet sepse vazhdon të jetë akoma një qendër e ndyrë biznesi.
Çfarë do me thënë kjo?
Ku secili përpiqet si t’ia fusë tjetrit për të përfituar diçka për vete. Por ajo është një parti e cila nuk është gati për pushtet. Vazhdon pavarësisht fjalorit për politikë të re, vazhdon të ketë...
Çfarë do të thotë një parti që nuk është e gatshme për pushtet?
S’është e gatshme. Është akoma shumë e korruptuar, e pisët, akoma me një intrigë të pashoqe brenda vetës, është akoma një parti jo e gatshme për të marrë në dorë drejtimin e vendit. Ajo është një forcë politike, të paktën drejtuesit e saj, jo të tjerët, drejtuesit e kësaj force politike janë të zhytur në korrupsion, janë pjesë të instrumenteve të errëta të politikës shqiptare, për të mos thënë pjesë të grupeve mafioze.
Kjo është deklaratë shumë e madhe...
Kësaj partie për t’u pastruar i duhen të paktën 4 vjet në opozitë, për t’i shkëputur një herë e mirë lidhjet nga grupet e errëta kriminale që e financojnë atë, që e drejtojnë politikën e saj.
Zoti Prifti, zoti Rama sipas jush dhe statutit duhet të largohet. Po nëse zoti Rama nuk largohet nga kreu i PS?
Unë mund të them që diferenca e koalicionit PD-LSI me PS është 135 mijë vota. Unë po të them që nëse zoti Rama do të vazhdojë të qëndrojë në krye të PS-së, ajo parti ta harrojë njëherë e përgjithmonë aleancën me LSI-në, sot pas 4 vjetësh, pas 8 vjetësh apo pas 12 vjetësh. Zoti Rama nuk është i besueshëm më për LSI-në dhe për të gjithë lidershipin e LSI-së. Me atë në krye nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi elektoral me PS-në. Nëse ata që janë brenda PS-së i bëjnë llogaritë që do ta fitojnë pushtetin vetëm, bujrum edhe pas 4 vjetësh dhe të shohim se kush do ta fitojë pushtetin.
Po në rast se zoti Rama jep dorëheqjen, çfarë perspektivash jepen për të majtën?
Natyrisht që hapen perspektivat për të bashkëpunuar me të majtën, jo brenda 4-vjeçarit që vjen, pasi ne do të firmosim një marrëveshje dhe do t’i qëndrojmë asaj strikte deri në fund. Por nëse zoti Rama largohet, aleancat tona natyrale janë majtas dhe shpresojmë që do të gjejmë gjuhën me drejtuesit e rinj të PS-së, për të pasur një koalicion fitues pas katër vjetësh. Ne jemi duke negociuar intensivisht një marrëveshje bashkëqeverisjeje me PD-në për katër vjet, të cilës do t’i qëndrojmë besnik për 4-vjet dhe për asnjë ditë më pak.

“Telefonata me Berishën ditën e zgjedhjeve”

Nënkryetari i LSI-së tregoi dje se si bëri të mundur bllokimin e vjedhjes së votave të LSI nga komisionerët socialistë. “Sigurisht votat tona ndaheshin te të dyja partitë. Votat e LSI hidheshin edhe tek PD dhe tek PS. Por rolin aktiv për ta bërë këtë gjë e kishin komisionerët e PS-së. E pashë, pastaj u detyrova të ndërmerrja një vendim taktik. Bëra një deklaratë publike për të tërhequr të paktën njërën nga palët për ta bërë aleate. Thashë vota ime nuk do të jetë për Edi Ramën. Vetëm 1 minutë, pasi kam dalë nga studio ku bëra deklaratën, më ka telefonuar zoti Berisha. Më ka telefonuar dhe më ka thënë je ankuar në televizion për gjërat që po të ndodhin në Fier. I thashë, po më vjedhin votat. PS bashkë me PD, pasi PD-ja nuk po i mbron, po preferon që të ndahen votat tona. Çfarë do prej meje më tha. I thashë, të lutem shumë dua vetëm mbrojtjen e votave të mia dhe s’dua asgjë tjetër. Dhe, për 10 minuta jam rikthyer te qendra e numërimit dhe më kanë ardhur dy komisionerë nga PD dhe më kanë treguar celularin me sms të marrë nga Sokol Olldashi, ruani votat e LSI, njëlloj si votat e PD-së. Për fat, pas atij momenti, unë kam bindjen që në një pjesë të mirë të qendrave të votimit, të numërimit, pra janë ruajtur votat tona. Pasi edhe mandati im mund të ishte i diskutueshëm”, u shpreh Prifti.

Zgjedhjet, Rama feston me vullnetarët në Tiranë

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama ka festuar ditët e fundit rezultatin zgjedhor në ato njësi bashkiake, ku PS ka dalë fituese. Deputetët e rinj të sapo konfirmuar, kanë organizuar festa në lokale të ndryshme të kryeqytetitm ku ka qenë i ftuar dhe kryetari socialist Edi Rama. Vetëm grupin e vullnetarëve dhe disa koordinatorë të fushatës elektorale. Ndërkohë që rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është pothuaj i qartësuar, deputetë socialistë të cilët ndjehen pretendentë për të marrë drejtimin e PS-së, pas dorëheqjes që pritet të japë Edi Rama, kanë filluar presionet për të shkuar në një proces ringritjeje të kësaj partie. Deri tani, PS dhe Edi Rama shprehen se në këto zgjedhje nuk ka asnjë të fituar por as të humbur. Rama është shprehur në deklaratat e tij publike se do të vazhdojë betejën për numërimin e çdo vote, proces ky që premton të jetë mjaft i gjatë dhe të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve me këto rezultate që janë deklaruar deri tani. Ka qenë një iniciativë e deputetit Ndriçim Hysa, gjatë takimit që kryetari socialist zhvilloi me 140 kandidatët për deputetë pas zgjedhjeve, i cili kërkoi të zhvilloheshin në të gjithë vendin takime falënderimi për kontributin e të gjithë atyre që ndihmuan në këto zgjedhje, iniciativë që u përkrah nga të gjithë të pranishmit. Këto festime janë bërë në mjaft bashki dhe komuna, ku rezultatet për PS-në ishin pozitive. Në Tiranë deputetët që mbulonin njësitë bashkiake nr. 1, 2, 6, 7, 9 etj. të kryeqytetit kanë mbledhur grupet e vullnetarëve dhe koordinatorëve të fushatës për t’i falënderuar ata për kontributin e tyre në këto zgjedhje. Madje njësia 7 kishte zgjedhur dhe një lokal në periferi të kryeqytetit, “Xibrakun” për të festuar takimin e programuar me kryetarin në të cilin ai do t’i falënderonte ata për kontributin e dhënë. Mësohet se me vullnetarët e njësisë nr.9, në kryeqytet është organizuar një kokteil në një lokal të njohur tek dy kullat binjake, siç njihen në Tiranë. Rama pasi ka ardhur, ka takuar disa prej vullnetarëve dhe koordinatorëve, ka qëndruar jo më shumë se 10 minuta dhe është larguar pa dhënë dhe pa marrë asnjë mesazh për të ftuarit. “Vullnetarët e PS” u konsideruan risia e këtyre zgjedhjeve nga eksponentët e lartë të kësaj partie të cilët, si një model i marrë nga zgjedhjet presidenciale në Amerikë, u tentuan të aplikoheshin edhe në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›