E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, shënohen dy viktima të tjera nga virusi AH1N1



Jonida Late

Shqipëria shënon 3 viktima nga gripi i derrit. Instituti i Shëndetit Publik Konfirmoi se listës së personave që kanë humbur jetën nga gripi i derrit iu shtuan edhe dy persona të tjerë nga qyteti i Shkodrës. Viktimat ishin një 47- vjeçare nga qyteti i Shkodrës, e cila vuante edhe nga sëmundje te tjera. Ndërsa personi tjetër është një 53- vjeçar po nga qyteti i Shkodrës. Pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale dhe është trajtuar prej 5 ditësh me tamiflu. Gruaja 47- vjeçare kurohej prej 5 ditësh në Sanatoriumin e Tiranës, pasi vuante nga sëmundje kronike në mushkëri, hipertensioni dhe nga hiperobeziteti. Kjo ka bërë që 47- vjeçarja nga Shkodra të mos përballonte gjendjen e rëndë shëndetësore. Specialistët e Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se virusi shfaqet tepër i rrezikshëm në rast se pëson komplikacione me sëmundje të tjera.
Rastet
Aktualisht numri i personave që kanë humbur jetën nga virusi i gripit të derrit ka shkuar në tre persona. Rasti i parë ishte ai i 57- vjeçarit nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera. Deri më tani, asnjë nga rastet që kanë humbur jetën nuk ka pasur vetëm virusin e gripit, por të gjithë vuanin edhe nga sëmundje të tjera. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që të gjithë rastet e prekura nga virusi të tregohen të kujdesshëm, pasi ai mund të krijoje komplikacione. Njëkohësisht, të gjithë personat që vuajnë nga virusi AH1N1 dhe vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të drejtohen menjëherë tek mjeku specialist për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Virusi
Gripi i derrit është shtrirë në të gjithë vendin dhe ka prekur 310 persona. Shifrat janë konfirmuar në rrugë zyrtare nga specialistët e shëndetit publik. Muaji nëntor dhe dhjetor kanë qenë dhe muajt, ku është shënuar numri i rasteve më të shumta me gripin e derrit. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 21 vjeç ndërsa e rasteve të ditëve të fundit është 17.5 vjeç. Virusi i gripit të derrit ka mbërthyer pothuajse gjithë vendin, duke u shfaqur në disa vende më shumë e disa më pak. Sipas burimeve të ISHP-së, vendet më të prekura nga virusi janë qytetet që kanë numrin më të lartë të popullsisë dhe lëvizjen më të madhe të njerëzve. Kështu, në krye të listës qëndron kryeqyteti me rreth 230 persona të prekur. Më pas qëndron Durrësi me 20 persona të prekur, duke u pasuar nga Shkodra me 9 raste dhe rrethi Mat me 6 persona, të cilët janë fëmijë. Ndërsa në listë me më pak persona janë disa rrethe që kanë nga një të prekur, si Kolonja, Saranda, Devolli, Fieri, Kavajë etj. Shifrat janë bërë publike nga ISHP-ja, e cila ka mbledhur dhe analizuar 3000 mostra të personave të dyshuar nga rrethet e vendit. Megjithëse ishte premtuar se vaksina duhet të kishte ardhur në datën 10 dhjetor, MSH-ja nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mosardhjen e dozave të para. Sipas premtimit të MSH-së, aktualisht, pritet ardhja e 250 mijë dozash të vaksinës brenda muajit dhjetor. Të parët që do të vaksinohen janë kategoritë më emergjente. Sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetësisë, faza e vaksinimit do të fillojë me mjekët dhe infermierët dhe më pas do të vazhdojë me gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit, invalidët etj. Ministria ka këshilluar që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të dhëna më parë, si dhe kërkoi që pacientët të kryejnë vizita të shpeshta mjekësore edhe për virozat e thjeshta. Sipas specialistëve, shtimi i rasteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Ndryshimet klimaterike kanë bërë që të shtohet numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe kombinimi i dy viruseve e bën më të vështirë situatën dhe evidentimin e virusit.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›