Masterat njëvjeçarë, shtohen 170 kuota të reja për Universitetin e Tiranës dhe Bujqësorin
Jonida Tashi
Miratohen 170 kuota shtesë për studimet “Master i Nivelit të Dytë”, në Universitetin e Tiranës dhe atë të Bujqësorit, për vitin akademik 2009-2010. Vendimi për shtimin e kuotave të pranimit në këtë program studimi është marrë nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të fundit. Sipas vendimit të qeverisë, kuotat shtesë të pranimit, do të shpërndahen në universitetet, fakultetet dhe programet përkatëse të studimit, sipas kërkesave. Ndërsa kuotat e paplotësuara në programet e studimeve të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, do të rishpërndahen nga Ministria e Arsimit.
Aplikimet
Pas vendimit të qeverisë, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Bujqësor do të hapen sërish aplikimet për të vijuar Masterin e Nivelit të Dytë. Sipas rregullores, aplikimet në programet “Master i Nivelit të Dytë” në Universitetin e Tiranës zhvillohen sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara nga çdo fakultet. Si pasojë, datat, dokumentet dhe mënyra e përzgjedhjes do të jetë e ndryshme në varësi të vendimeve të marra nga dekanatet përkatëse. Ende nuk dihet se kur do të nisin aplikimet e reja për Masterin e Nivelit të Dytë, pasi universitetet duhet të marrin vendimin e zbardhur të qeverisë për të shpallur afatet dhe procedurat. Por, sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të tretë, pas mbylljes së procesit të aplikimit, komisionet “Ad-hoc” të ngritura pranë njësive kryesore të fakulteteve do të nisin procesin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues.
Kriteret
Universitetet kanë përcaktuar disa kritere të përgjithshme, për përzgjedhjeve e kandidatëve fitues, ku më kryesorët do të jenë: nota mesatare, botimet, vjetërsia në punë, puna që aktualisht bën, certifikatat e gjuhës së huaj, intervista e kandidatit që është e pranueshme dhe e duhur në të tilla raste etj. Gjithsesi, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, të drejtën e aplikimit për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve e kanë të gjithë ata kandidatë, që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë (Master i Nivelit të Parë ose Diplomë të Nivelit të Dytë) ose program studimi ekuivalent me të dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv. Studentët që do të ndjekin këtë vit masterin njëvjeçar në universitetet publike të vendit do të paguajnë të njëjtën tarifë shkollimi, pavarësisht degës dhe universitetit të zgjedhur. Qeveria ka vendosur tarifë unike studimi për Masterin e Nivelit të Dytë (MND) gjatë vitit akademik 2009-2010, ndryshe nga propozimet e vitit të kaluar, ku taksa e shkollimit përcaktohej në varësi të degës dhe universitetit. Konkretisht, tarifa e shkollimit, për studentët e regjistruar në MND, në vitin akademik 2009-2010, do të jetë është 100 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, që likuidohet në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Studentët nga Republika e Shqipërisë, që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin pararendës të studimeve, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit
Universiteti i Shkodrës, hapen pesë Mastera të Nivelit të Parë, për Mësuesi
Hapen pesë Mastera të Nivelit të Parë, për Mësuesi në Universitetin e Shkodrës. Qeveria ka miratuar së fundi hapjen në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, të programeve të studimit “Master i Nivelit të Parë” në pesë drejtime. Konkretisht, profilet e studimeve do të jenë: “Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Edukim fizik dhe sporte”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë, MNP, në Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Edukim fzik dhe sporte”; “Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndët Edukim fizik dhe sporte”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë, MNP, në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndët Edukim fizik dhe sporte”; “Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Histori dhe Gjeografi, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë, MNP, në Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Histori dhe Gjeografi”; “Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Histori, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë, MNP, në Mësuesi për arsimin e mesëm në lëndën Histori”; “Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Gjeografi”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Parë, MNP, në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Gjeografi”. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.
Kuota e pranimeve
Kuota e pranimeve në këto programe “Master i Nivelit të Parë”, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, për vitin akademik 2009-2010, do të jetë, si më poshtë vijon:
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Edukim fizik dhe sporte, 50
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndët Edukim fizik dhe sporte, 50
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Histori dhe Gjeografi, 60
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Histori, 60
Mater i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Gjeografi, 60
Tarifa e studimeve
Tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, do të jenë, si më poshtë vijon:
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Edukim fizik dhe sporte, 40 000 lekë
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndët Edukim fizik dhe sporte, 45 000 lekë
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët Histori dhe Gjeografi, 40 000 lekë
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Histori, 45 000 lekë
Mater i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, në lëndën Gjeografi, 45 000 lekë
Ndryshohen dy anëtarë të Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës
Ndryshohen dy anëtarë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Me propozim të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në listën e ekspertëve të fushës së arsimit të lartë, shkencës, teknologjisë dhe sektorit privat, të bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: “Prof.Dr.Bardhyl Musai zëvendësohet me Prof.Dr. Gëzim Karapici, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”; “Prof.Dr. Myqerem Tafaj zëvendësohet me Prof.Dr.Pavli Kongo, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”.
14 Dhjetor 2009