E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: “Mjekët e pakualifikuar nuk do të punojnë”



Mjekët që nuk kanë kualifikime dhe që nuk punojnë për t’i arritur ato, nuk do të punojnë më në sistemin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë Konferencës së Parë Shqiptare të Dermato-Venerologjisë, është shprehur se mjekët duhet të arrijnë të kenë sa më shumë kualifikime dhe grada shkencore për të mbajtur vendet e punës. Sipas tij, në shëndetësisë shqiptare nuk do të punojnë më persona që do të punojnë me empirizëm e pa kritere shkencore. Vasili bëri të ditur se mjekët kanë nevojë të ndjekin edukimin e vazhdueshëm, i cili do t’i kualifikojë dhe aftësojë ata. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë ministri Vasili theksoi se aktualisht, dermatologjia ka dimension tjetër, sepse edhe cilësia e jetës është në rritje, nevojat e shqiptarëve si edhe pretendimet për një jetë gjithmonë e më cilësore e vënë këtë shkencë në një pozicion shumë më të ndryshëm nga më parë. Ministri theksoi se shqiptarët duan që shëndetësia publike t’u ofrojë atë që ata presin prej saj. Ndërsa ka shprehur besimin tek fuqia e mjekëve dhe e sistemit shëndetësor shqiptar për ta bërë këtë. “Falë mundësive të komunikimit që Shqipëria ka, sot na mundësohet të jemi gjithnjë e më afër kërkesave të pacientëve”,- theksoi Vasili. Ministri i Shëndetësisë vlerësoi rolin e dermatologëve shqiptarë të cilët pavarësisht izolimit dhe mundësive të pakta për literaturë kanë provuar se dinë të punojnë shumë mirë dhe të çrrënjosin sëmundje të mëdha nga të cilat ka vuajtur shëndetësia publike. Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë vendosi për sistemin e ri të vlerësimit të mjekëve. Mjekët tani vlerësohen nëpërmjet pikëve të marra nga kurset apo trajnimet përkatëse që ata do të ndjekin gjatë specializimeve, sipas profilizimit që kanë. Kështu, në bazë të pikëve të marra, do të bëhet dhe kualifikimi ose jo i mjekëve, ku do të testohen dijet e tyre në fushën përkatëse, të sistemit mjekësor ku ata bëjnë pjesë. Në bazë të këtij vlerësimi do të përzgjidhen në vendet e punësimit të gjithë mjekët që janë në garë për një vend pune. Ndërsa për mjekët që aktualisht janë në marrëdhënie pune vlerësohen nëpërmjet pjesëmarrjes në trajnime dhe konferenca. Gjatë pjesëmarrjes ata kanë të drejtë të referojnë lidhur me disa një çështje që duhet ta kenë studiuar dhe duhet t’u jenë referuar të reja të fundit të shkencës nga vendet e tjera me sistem shëndetësor të zhvilluar dhe që kanë shënuar arritje në një fushë.

QSUT, mungon sistemi i ngrohjes në dhomat e shtrimit

Qendra Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” edhe këtë vit do të përballet me mungesën e ngrohjes në pavijone dhe në dhomat e shtrimit. Pacientët janë të detyruar që të ngrohen, sipas mundësive personale, pasi në dhoma nuk u ofrohet kjo mundësi. Burime nga QSUT-ja bëjnë të ditur se aktualisht nuk kanë ndonjë projekt për futjen e sistemit të ngrohjes në pavijone dhe dhomat e pacientëve. Madje, pacientët janë të detyruar që krahas kaloriferëve të marrin nga shtëpitë edhe mjete rrethanore për të mundësuar ujë të ngrohtë. Edhe pse banjat ndodhen pranë dhomave të shtrimit, aty nuk ofrohet mundësia e të pasurit ujë të ngrohtë. Madje kjo situatë është konfirmuar publikisht nga specialistë të shëndetësisë, të cilët shprehen se situata është alarmante dhe duhet medoemos ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë për të përmirësuar situatën.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›