E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, “vrasësi” i minutave të fundit



Dhjetë gola në vetëm 14 ndeshje me Rapidin e Vjenës dhe 12 në total, duke përfshirë edhe dy me ish-skuadrën e tij, SV Ried, përpara se të transferohej në limitin e merkatos verore te rekordmenët austriakë (32 tituj kampionë). 25-vjeçari Hamdi Salihi është është sulmuesi më në formë që luan jashtë vendit. Askush tjetër nuk ka shënuar më shumë se ai në Europë, as Erjon Bogdani me Kievon në Italia (2 gola) dhe as mbrojtësi i Vorskla Poltavës në Ukrainë (3 gola, i 3-ti i realizuar pikërisht dje). Goli i fundit i tij është pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, SV Ried, në fitoren 2-1 të Rapidit të Vjenës.

SERIALI I GOLAVE
Pikërisht, “Gerd Myleri” shqiptar, e përuroi kontratën e tij 3-vjeçare me Rapidin më një gol të realizuar qysh në ndeshjen e parë. Salihi luajti si zëvendësues në minutën e 83-të dhe me golin e tij në barazimin 2-2 kundër Salzburgut e shpëtoi Rapidin nga humbja. Për Rapidin e Vjenës, Hamid Salihi ka shënuar 9 gola në 13 ndeshje (11 në total). Sezonin e kaluar ralizoi 14 gola me ish-skuadrën e tij, SV Rieed. Sa gola mund të shënojë këtë sezon? “Te Rapidi mund të jetë sigurisht do të jetë më mirë, pasi skuadra luan lojë më sulmuese dhe ti si sulmues ke më shumë shans. Por, nuk dëshiroj të përmend asnjë shifër, pasi siç thuhet gjithmonë: në futboll ti ke nevojë gjithmonë për fat”, - thotë Salihi për mediat austriake. Aktualisht, Hamdi Salihi, me 12 golat e realizuar renditet i dyti në listën e golashënuesve në kampionatin austriak. Valner Roman i Lask Linzit është i pari me 14 gola (1 me penallti).

“VRASËS” PERFEKT

Hamdi Salihi, ish-sulmuesi i Tiranës, i mbiquajtur nga trajneri Oto Bariç, si “Gerd Myleri i Shqipërisë” ka një të veçantë në golat e tij.
Shtatë nga 11 golat e realizuar nga Hamdi Salihi kanë një statistikë shumë interesante: janë shënuar në 5-6 minutat e fundit, duke i sjellë pikë të çmuara dy skuadrave të tij, gjatë këtij sezoni. Kështu për ish-skuadrën e tij, SV Ried, ka realizuar në minutën e 87-të në fitoren 1-0 kundër Salzburgut. Më fanellën e Rapidit shënoi golin e barazimit 2-2 kundr Salzburgut në minutën e 84-t. Në fitoren 3-1 kundër SC Magna shënoi në minutën e 88-të. Në fitoren 4-0 të Rapidit kundër Matersburgut shënoi në minutën e 86-të. Në fitoren 4-1 kundër Rapidit të Vjenës realizoi në minutën e 89-të. Kundër Shturmit të Grazit në fitoren 4-1 realizoi sërish në minutën e 89-të, Kundër Kapfenbergut shënoi në minutën e 85-të.

PAFUNDËSI AUTOGRAFESH
Rapidi është një nga klubet me më shumë tifozë në Austri, madje ka ultrasit më të njohur në vend. “Më ndalojnë shumë shpesh, por tani nuk më bën shumë përshtypje. Në fillim, kur erdha në Vjenë e kisha pak të vështirë, por tani jam mësuar. Megjithatë, këtu në Vjenë nuk është se njerëzit jetojnë çdo ditë me futbollin. Nuk është si në Angli. Nuk mund t’i quaj të gjithë fansat e mi, pasi ata janë tifozë të flaktë të Rapidit dhe shpesh më përgëzojnë për lojën apo për golat që bëj”- thotë Salihi. Shqiptari Salihi është një ndër tetë lojtarët e huaj të Rapidit, që ka në gjirin e tij edhe një sulmues tjetër, kroatin 24-vjeçar Nikica Jelaviç.

2.7 Milionë Euro
Hamdi Salihi me transferimin e tij të minutës së fundit (31 gusht) nga modestët e SV Riedit te gjigantët e Rapidit të Vjenës, në shumën e 2.7 milionë eurove, mbylli një seri të gjatë prej 31 lëvizjesh të legjionarëve shqiptarë anembanë Europës, që kulmoi me shitblerjen e Lorik Canës në shumën e 6 milionë eurove nga francezët e Olimpikut të Marsejës te anglezët e Sandërlendit. Transferim spektakolar i Hamdi Salihit nga SV Riedi te Rapidi i Vjenës, skuadra rekordmene austriake përsa i përket titujve kampionë (32) kushtoi 2.7 milion euro, nga këto 1.5 milionë euro shkuan te SV Ried për blerjen e kartonit, ndërsa vetë Salihi do të përfitojë gjatë kontratës së tij 3-vjeçare 1.2 milionë euro neto

3 golat me Kombëtaren

Nëse me klubet për të cilat ka luajtur ka shënuar një “thes’ me gola: 109 gola në total; 59 në Shqipëri (30 me Vllazninë e 29 me Tiranën) dhe 50 në Austri (39 me Riedin dhe 11 me Rapidin), me Kombëtaren, Hamdi Salihi nuk ka mundur të shënojë më shumë se 3 gola, në 14 ndeshjet të aktivizuara. Gjithsesi, Hamdi Salihi është autori i golit të fundit të Kombëtares shqiptare të drejtuar nga Josip Kuzhe, në humbjen 4-1 me Suedinë për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010. Goli i parë i ish-sulmuesit të Vllaznisë është realizuar në ndeshjen miqësore kundër Maltës të fituar 3-0 (23 gusht 2007), pas vetëm 12 minutash lojë pasi kishte zëvendësuar Erjon Bogdanin. Gjithsesi, për të minutat në ndeshjet zyrtare kanë qenë shumë të pakta, e vetëm tani ka fituar vendin e titullarit të padiskutueshëm. Goli i tretë i Salihit është ai në miqësoren e Kombëtares (B) kundër Milanit, në një barazim spektakolar 3-3. Salihi shënoi golin e rezultatit 3-2.

Hidhërimi për trukimin

Te Rapidi i Vjenës, skuadra aktuale e sulmuesit shkodran Hamdi Salihi, kanë mbetur jo pak të befasuar kur emri i rekordmenëve austriakë u përmend në ndeshjet e dyshuara nga UEFA si të trukuara, për shkak të klubit shqiptar, Vllaznisë. Dy skuadrat u ndeshen në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, ku Rapidi fitoi në të dyja përballjet me rezultat të thellë: 5-0 në Vjenë (16 korrik 2009) dhe 3-0 në Shkodër (23 korrik 2009). Drejtuesit më të lartë të Rapidit, përfshirë presidentin Rudolg Edlinger, kanë theksuar për gazetën më të rëndësishme austriake, “Kurier”, se klubi i tij nuk ka të bëjë aspak me manipulimet. “Rapidi nuk ka të bëjë aspak me manipulimet. Kjo çështje për ne është shumë e qartë”, - tha Edlinger, një ish-ministër i Financave në Austri. Pikërisht ditën kur UEFA shpalli listën e zezë të shtatë skuadrave që dyshoheshin për trukimin e ndeshjeve, e ku bënin pjesë edhe Vllaznia e Tirana, Hamdi Salihi shënoi golin e zakonshëm të tij në fitoren 4-1 të Rapidit kundër Shturmit të Gracit (25 nëntor 2009). “Kur e mora vesh lajminm nuk munda t’i gëzohesha golit, u hidhërova shumë”, - tha Salihi, ish-lojtar i Vllaznisë e Tiranës.

Tifoz i Milanit dhe Mançesterit

Ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe Tiranës është tifoz i Milanit në Itali dhe Mançester Juanjtid në Angli, dy prej skuadrave më të mëdhaja të botës, e që ndoshta përbëjnë edhe ëndrrën e tij në sirtar, për të veshur fanellën e ndonjërës prej tyre. Në fakt, ndaj Milanit ka shënuar edhe një gol, kur Kombëtarja (B) luajti në Tiranë për trofeun “Taçi Oil Albania Reads” në takimin e përfunduar 3-3 në “Qemal Stafa”.

Pushimet në Paris

“Kemi një javë pushim dhe kam menduar të shkoj disa ditë në Paris. Madje për të qenë i sinqertë, kam prenotuar që tani. Do shkoj atje katër ditë, ndërsa tri ditë të tjera do të shkoj në një vend malor këtu në Vjenë. Më kanë thënë se është bukur dhe kam dëshirë të shkoj ta vizitoj”

Salihi, mjeku i ardhshëm

Hamdi Salihi mund të jetë një nga mjekët e ardhshëm shqiptarë, pas përfundimit të karrierës futbollistike. Lajmin e jep siti austriak rundschau.co.at, që thekson faktin se sulmuesi i Rapidit të Vjenës e më parë i Riedit, “vdes” për të lexuar dhe mendon se për të ka ardhur koha që përveç futbollit të merret edhe me studimet, ku 25-vjeçari ka dëshirë të vazhdojë për mjekësi.

LORIK CANA
“Nëse nuk do të bëhesha futbollist, do të studioja për histori. Më pëlqen shumë historia e vendit tim dhe lexoj shumë për të kur udhëtoj dhe qëndroj në hotel me ekipin në prag të ndeshjeve”

ERJON BOGDANI
I diplomuar për administrim biznesi, ndërkohë që flet të paktën katër gjuhë të huaja, sulmuesi i Kievos thotë se pasi të varë “këpucët në gozhdë” dëshiron të bëhet një biznesmen i suksesshëm.

ALTIN LALA
Kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe ish-kapiteni i Hanoverit, përveç kënaqësisë për të dhënë autografe fansave ka hapur një biznes në fushën e produkteve të bio-farmaceutike “Rosman&Lala”.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›