E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, shtohen dhe 4 raste

 

Zirina Llambro

Konfirmohen edhe 4 raste të tjera të së prekure nga gripi i derrave. Përgjigjet e analizave mbërritën dje nga laboratorët e Rumanisë. Kështu shkon në 16 numri zyrtar i të infektuarve me virusin AH1N1 në vendin tonë. Gjithsesi, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik pranojnë se virusi në Shqipëri nuk ka qenë agresiv. Pjesa më e madhe e të infektuarve janë shëruar tashmë, ndërsa ata që janë zbuluar dje po trajtohen me tamiflu. Ndërkaq, burime pranë ISHP bëjnë me dije se është rritur ndjeshëm numri i mostrave që dërgohen në Bukuresht. Çdo ditë dërgohen mbi 15 mostra, të cilat kryesisht rezultojnë pozitive për virusin A dhe duhet të konfirmohen nëse i përkasin nëntipit H1N1. Kjo analizë kryhet vetëm jashtë vendit. Sakaq, Ministria e Shëndetësisë pohon se pavarësisht simptomave të lehta, qytetarët nuk duhet të jenë neglizhentë. “Nuk ka asnjë problem nëse kryejnë një vizitë rutinë tek mjeku i familjes qoftë për një temperaturë të lartë qoftë për dhimbje koke, kockash e rrufë”, shprehen drejtuesit e ministrisë. Nga ana tjetër ata theksojnë se duhet bërë kujdes, por duhet evituar paniku i kotë.
Agresiviteti i vjeshtës
Më shqetësues dhe më agresiv virusi A/H1N1 pritet të jetë në sezonin e vjeshtës, atëherë kur fillon të shfaqet edhe gripi i zakonshëm dhe virusi mund të pësojë mutacion. Përhapja e tij pritet të jetë edhe më e madhe për shkak se nis dhe procesi mësimor. Përpos rasteve të evidentuara numri i të prekurve aktualisht mendohet të jetë më i lartë, pasi një pjesë e mirë e kalojnë sëmundjen pa e vënë re. Në vjeshtë pritet të vijnë edhe dozat e para të vaksinave. Deri tani Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë me dije ndonjë të dhënë konkrete, por ka pohuar se është në tratativa për të siguruar sasinë e nevojshme. Por sipas gjasave jo më shumë se 10% e popullatës pritet ta marrë falas vaksinën. Pjesa tjetër do të duhet ta sigurojë vetë. Gjatë sezonit të gripit që nis në vjeshtë, numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë pritet të kapërcejë mbi 15 mijë. Prej tyre, 5,000 vetë do të shfaqin simptoma të rënda të virusit ndërsa pjesa tjetër do t’ia hedhin sëmundjes pa komplikacione. Këtë parashikim bëjnë specialistët e shëndetësisë. Gjithçka mbetet për t’u parë pasi vala goditëse e virusit mund të jetë edhe më e fortë. Deri tani trajtimi i vetëm efektiv kundër virusit mbetet tamifluja, por vetëm nëse e rekomandojnë mjekët. Nëse tamiflu përdoret në mënyrë individuale në rastin e fëmijëve, atëherë ajo shkakton probleme të rënda në sistemin nervor, atë kardiovaskular, në sistemin gastrointestinal, në mëlçi, veshka e të tjera. “Tek fëmijët pasojat mund të jenë vërtet të rënda, prandaj prindërit duhet të tregohen sa më të kujdesshëm në përdorimin e tamiflusë, mbi të gjitha me ata”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, në varësi të gjendjes shëndetësore të secilit, është mjeku ai që përcakton dozën që duhet marrë, duke pasur parasysh efektet anësore që mund të japë ky medikament. Sipas tyre, tamiflu përdoret vetëm për virusin A, pasi në rast të kundërt krijon rezistencë ndaj virusit

Raste

5 emigrantë nga jashtë
3 marinarë të huaj
8 raste nuk kanë dalë jashtë vendit
Vlora 3 raste
Saranda 1 rast
Tirana 12 raste
8 raste
grupmosha 15-25 vjeç
8 raste
grupmosha  25-40 vjeç
Asnjë nuk është i sëmurë kronik
Të shëruar 12 raste
 

Tre raste të dyshuara në Mat
BURREL - Tre raste të dyshuara me gripin e derrave në rrethin e Matit. Faktin e konfirmoi dje drejtori i spitalit “Xhavit Mara” të Burrelit, Gani Korsita. Ajo tha se mjekët specialistë të repartit infektiv kanë dyshuar në tre raste se pacientët janë prekur nga virusi A/H1N1. Ata janë dërguar për një ekzaminim më të specializuar në Tiranë nga ku ka rezultuar se nuk janë prekur nga gripi i derrave. Korsita shtoi se janë shtuar masat parandaluese nga drejtoria e këtij spitali. Në repartin infektiv është përgatitur një dhomë e veçantë për shtrimin dhe mjekimin e këtyre të sëmurëve, duke i mbajtur të izoluar nga pjesa tjetër e pacientëve. Ashtu si në rrethet e tjera, emrat e pacientëve të dyshuar në këtë rreth nuk bëhen publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›