E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë, kapet vrasësi i 55-vjeçarit: Mora hak

 

KRUJE - Vrau 55-vjeçarin për hakmarrje, arrestohet. Një ditë pas ekzekutimit të Maliq Topallit në Tapizë të Krujës, blutë finalizuan në prangosjen e 32-vjeçarit Lulzim Xhixha. Aksioni për arrestimin e tij u krye dje rreth orës 14:10 në momentin kur i riu po tentonte të shkonte fshehurazi në banesë. Ai kishte menduar se forcat e policisë ishin tërhequr dhe mund të kthehej në shtëpi. Por policia e cila po e mbante në survejim shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e 55-vjeçarit e prangosi atë sapo ai u afrua portës. Mësohet se 32-vjeçari nuk i bëri rezistencë arrestimit, ndërsa pranoi më pas edhe autorësinë e krimit të ndodhur vetëm një ditë më parë. "Po, unë e vrava Maliq Topallin. Djali i tij më masakroi vëllain një vit më parë. Kur mendoja se sa shumë kishte vuajtur vëllai im, i cili u masakrua me një hanxhar, nuk mund të rrija pa marrë hak". Kështu mësohet se është shprehur para grupit të hetimit 32-vjeçari i cili brenda pak minutave zbardhi gjithë skemën e krimit të rëndë që ndodhi më 16 gusht rreth orës 19:30, disa minuta larg banesës së viktimës. Ai i kishte zënë pritë Topallit dhe në momentin që i është afruar e ka qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas dëshmisë së dhënë nga i arrestuari i djeshëm, djali i viktimës, Dritan Topalli ia kishte vrarë të vëllanë në pabesi. Vaid Xhixha u gjet i masakruar me mjete prerëse më 18 shkurt 2008. Por që pas arrestimit të 27-vjeçarit Dritan Topalli, vëllai i viktimës ishte betuar se do të merrte hak. Dhe ai e mori hakun e të vëllait tre ditë më parë, duke i vrarë babain autorit.                                                                           r.n.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›