Tirana, në gusht 3 pika me ndotje madhore
Tre kanë qenë pikat ku është evidentuar ndotje e ujit të pijshëm gjatë fundit të korrikut dhe muajit gusht. Bëhet fjalë për një lagje të Rruga e Elbasanit, pranë shkollës ekonomike, rruga “Fadil Rada”, pranë Ministrisë së Jashtme dhe te rruga “Gani Domi”, pranë maternitetit të ri. Në dy pikat e para defekti në rrjet është rregulluar, ndërsa në zonën e tretë pritet të rregullohet këto ditë. “Këto kanë qenë ndotje madhore, pastaj në disa pika kemi pasur edhe ndotje sporadike, por jo problematike. Niveli i klorit vijon të mbetet në kuotën e 0,8-1 mg/l në vartësi të zonave. Krahasuar me një vit më parë situata paraqitet më e mirë pasi nuk kemi pasur vatra epidemie”, sqarojnë specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Sipas tyre ndonëse monitorimi është i vazhdueshëm dhe rritet që prej muajit mars niveli i klorinimit të uji të pijshëm që konsumojnë kryeqytetasit nuk mund të jetë kurrsesi 100% e sigurt. “Janë tre arsye të cilat nuk garantojnë siguri të plotë për popullatën. Së pari, rrjeti është i amortizuar çka do të thotë se mbetjet depërtojnë brenda tij duke ndotur ujin që konsumohet. Së dyti, uji vjen me orare pra nuk rrjedh gjithë ditën dhe krijohen vakumet, të cilat grumbullojnë papastërti e mikrobe, të cilat vijnë në çezmat e qytetarëve. Përpos këtyre dy problemeve vetë qytetarët ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrjet duke çarë tubacionet”, theksojnë inspektorët e Drejtorisë së Higjienës. Ata u bëjnë apel qytetarëve të bëjnë kujdes dhe ta ziejnë ujin e çezmës para përdorimit. Kështu do të evitonin sëmundjet.