Një bandë adoleshentësh grabitin shkollën
PËRRENJAS - Tre të mitur kanë grabitur shkollën 9-vjeçare “Qybra Sokoli” në Përrenjas. Ka qenë drejtoresh e shkollës F. A., e cila ka vënë re pajisjet që mungonin në ambientet e shkollës. Menjëherë drejtoresha është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë së Librazhdit, ku ka bërë kallëzim për vjedhjen e shkollës. Është konstatuar se në shkollën që ajo drejton mungonin disa pajisje të saj, konkretisht, një kompjuter, një orë muri dhe disa pajisje të tjera, të cilat shërbenin për mësimdhënien në këtë shkollë. Nga ana e Komisariatit Policisë Librazhd, në bazë të informacionit të marrë, në rrugë operative dhe pas një pune intensive, u finalizua operacioni i koduar “Huckers 14”, ku u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve të kësaj vepre. Sipas policisë, autorët janë A. T., 13 vjeç, N. S., 13 vjeç dhe G. Gj., 12 vjeç, të tre banues në Përrenjas dhe nxënës së kësaj shkolle. Burimet policore bëjnë të ditur se tre të miturit janë dhe autorë të vjedhjes së një dyqani floriri në Përrenjas, ku kanë vjedhur disa bizhuteri floriri si, unaza, varëse, byzylykë etj., ngjarje kjo e ndodhur më datë 02.12.2009. Nga kontrolli që iu bë të miturve, në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan sendet e vjedhura dhe po punohet për dokumentimin e plote ligjor të kësaj ngjarjeje.
Autorët
A. T., 13 vjeç, lindur e banues në Përrenjas
N. S., 13 vjeç, lindur e banues në Përrenjas
G. Gj., 12 vjeç, lindur e banues në Përrenjas
Mjetet e grabitura
1 kompjuter
1 orë muri
Pajisje mësimore
Pranga dy personave, vodhën arkën e një farmacie
TIRANË - Dy persona janë arrestuar ditën e diel nga policia, pasi dyshohen se kanë vjedhur një sasi parash në një farmaci në Babrru të Tiranës. Sipas burimeve policore, u arrestuan shtetasit Fatjon Qosja, 23 vjeç dhe Dalip Hodo, 43 vjeç. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 5 konfirmojnë se arrestimi i tyre u krye sepse në Babrru janë kapur në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme duke vjedhur me thyerje farmacinë në pronësi të një shtetasi, ku dyshohet se kanë vjedhur një sasi parash që ndodheshin në arkën e farmacisë. Policia kreu veprimet procedurale, ndërsa materialet në ngarkim të dy personave do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes, kryer në bashkëpunim”.
Plagoset mekaniku teksa punonte në motorin e anijes
DURRËS - Një shtetas, i cili punonte si mekanik në peshkarexhën “Rovinson”, është dëmtuar duke punuar në motorin e anijes. Sipas burimeve policore, shtetasi Ramiz Lelja, 60 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 14 në Durrës, me profesioni mekanik, ka marrë dëmtime ditën e djeshme teksa ishte duke punuar në motorin e peshkarexhës. I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur kalata lindore e Portit Detar Durrës, e pikërisht në peshkarexhën “Rovinson”, në pronësi të shtetasit Fatmir Lizja.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Vdes inxhinieri, e zë ashensori poshtë
ELBASAN - Një inxhinier ka gjetur vdekjen teksa po rregullonte një defekt në ashensor. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se inxhinieri Sokol Jani ka gjetur vdekjen teksa përpiqej të rregullonte një defekt të ashensorit të një pallati shumëkatësh në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në qendër të Elbasanit, kur inxhinieri ka humbur jetën pasi u godit nga ashensori teksa përpiqej të rregullonte defektin. Në pallatin shumëkatësh ku ndodhi ngjarja mbërritën forcat e policisë për të zbardhur rrethanat. Pas këqyrjes së vendngjarjes dhe deklaratave të dëshmitareve, policia tha se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht. Inxhinieri ka qenë duke rregulluar një defekt kur ashensori e ka zënë poshtë. Ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën ka qenë e kotë, pasi ai vdiq në vend.
15 Dhjetor 2009