E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, specialistët “frikë” nga përhapja në shtator



Emanuela Sako

Gripi i derrit pritet të shfaqet më i rrezikshëm në muajin shtator, ku shënohet dhe rënia e temperaturave. Ministria e Shëndetësisë po përpiqet të marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit në vendin tonë. Specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka porositur 10 mijë doza të tjera Tamilfu, për të parandaluar përhapjen e gripit të derrit. Vendi ynë është i rrezikuar nga përhapja e virusit, pasi vendet fqinje janë të prekura nga ky virus. Për më tepër që lëvizjet sezonale të turistëve mund të bëhen shkak për një përhapje të mundshme të virusit, i cili mund të importohet nga vendet e tjera. Ministria e Shëndetësisë po forcon marrjen e masave në vendet kufitare, ku ka fluks të shtetasve që kthehen në vend për pushimet verore. Përgjegjësi për “mbrojtjen kufitare” nga virusi, kanë DSHP-të e rretheve, ku specialistët tashmë janë përqendruar në kufi.
Temperaturat
Specialistët e shëndetit publik shprehen se temperaturat e larta të verës nuk e favorizojnë virusin. Prandaj “frika” e përhapjes mbetet vjeshta dhe marrja e masave duhet të jetë një parapritë kundër virusit. Sezoni i vjeshtës karakterizohet nga një gjendje e përvitshme dhe e përgjithshme e virozave gripale. Ata këshillojnë qytetarët që të drejtohen tek mjeku i familjes apo specialisti, që në fazën e parë të gjendjes gripale. Specialistët kërkojnë forcimin e sistemit të komunikimit të qytetarëve me qendrat shëndetësore. “Pavarësisht kurimit në shtëpi, pacientët duhet të qëndrojnë në kontakt me mjekun e familjes. Për këtë duhet edhe një përmirësim i sistemit të komunikimit”,- u shpreh Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino. Autoritetet bëjnë thirrje për marrjen e këtyre masave, pasi shenjat e gripit të derrit janë pothuajse të njëjta me gripin e zakonshëm. Ndërkohë që më të rrezikuar janë ata persona që vuajnë nga sëmundje të tjera, si zemra, diabeti etj.
Pandemia
Prej disa ditësh bota është përfshirë në situatën e pandemisë globale. OBSH-ja e rriti nivelin e alarmit për gripin e derrave në nivelin maksimal 6. Ky është dhe niveli i fundit që ekspertët e OBSH-së kishin parashikuar të mos arrihej. Tashmë virusi është përhapur me një shpejtësi të madhe në të gjithë botën, duke zgjeruar çdo ditë edhe më shumë hartën e prekjes dhe si rezultat dhe shtimin e numrit të të prekurve apo personave që kanë humbur jetën nga ky virus. Sipas OBSH-së deri tani rastet e rënda përbëjnë vetëm 1% të të sëmurëve. Ndërkohë që në hartë shënohen 70 vende të botës, të cilat janë prekur nga virusi. Specialistët në Hong-Kong po përpiqen të gjejnë mënyrën e përhapjes së virusit dhe ndryshimet gjenetike që ndodhin nga prekja e virusit.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›