E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, specialistët e Arsimit: Ja si mund t’i llogaritni pikët për 10 fakultete

Shembulli për Juridikun, Ekonomikun dhe zbritja e tyre sipas preferencave. Sa shanse ka për të fituar Ekonomikun një maturant i profilit shoqëror

Jonida Tashi

Me afrimin e provimeve me zgjedhje të Maturës, fill pas të cilave përcaktohen edhe fituesit e universiteteve, specialistët e arsimit nuk kanë nguruar të sjellin shembuj konkret për llogaritjen e pikëve. Gjithçka është bërë për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë maturantëve që duan të vijojnë studimet e larta, të cilët duke njohur vlerësimet e veta mund të bëjnë llogaritë se sa pikë mund të marrin. Pikët që të shpallin fitues për në shkollë të lartë përbëhen nga pesë komponentë që janë: notat e dy provimeve me detyrim, notat e dy provimeve me zgjedhje, si dhe mesatarja e shkollës së mesme. Mbi bazën e këtyre të dhënave, specialistët e Agjencisë së Pranimeve në Universitete (APRIAL), sjellin për maturantët dy shembujt e mëposhtëm për llogaritjen e pikëve për 10 preferencat. Bazuar në këta shembuj, çdo kandidat për student duke vendosur të dhënat e veta mund të informohet paraprakisht se sa shanse ka për të fituar universitetin këtë vit.
Juridiku
Në shembullin e parë, specialistët kanë marr rastin e një kandidati për student, i cili është i profilit shoqëror dhe ka në një nga preferencat e tij programin e studimit Drejtësi (që ka koeficientin e shkollës 1.4) dhe lëndët që ka zgjedhur për të dhënë provim janë: Njohuri për Shoqërinë dhe Ekonomi-Filozofi (që kanë koeficientin maksimal 1.3). Në shembullin e dytë, specialistët tregojnë se si i njëjti maturant, për shkak të profilit të shkollës së mesme nuk është shpallur fitues në preferencën e tij të parë, që ishte Ekonomiku, por në atë të dytën, Juridik. Për të njëjtin rast, specialistët e APRIAL-it kanë përgatitur edhe tabelën e plotë të përzgjedhjes së 10 programeve të studimit sipas radhës së preferencave të maturantit si dhe pikët që ai ka arritur të grumbullojë për secilën degë.
Provimet
Brenda pak ditësh, maturantët do të njihen me rezultatet e provimeve me detyrim si dhe mesataren e shkollës së mesme. Ndërsa në datën 10 korrik, ata do t’i nënshtrohen dy provimeve me zgjedhje, që janë prova e fundit e Maturës Shtetërore. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 80 pikë për dy provimet me zgjedhje. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.

Shembulli 1
Le të marrim shembullin e një kandidati për student, i cili është i profilit shoqëror dhe ka në një nga preferencat e tij programin e studimit Drejtësi (që ka koeficientin e shkollës 1.4) dhe lëndët që ka zgjedhur për të dhënë provim janë Njohuri për Shoqërinë dhe Ekonomi-Filozofi, (që kanë koeficientin maksimal 1.3). Maturanti ka marrë këto vlerësime: D1=8.64; D2=8.2; Z1=8.85; Z2=9.68; M=9.41. Me këto të dhëna ky maturant fiton pikët e mëposhtme:

SHM KSH Z1 KZ1 Z2 KZ2 Dega Pikë
Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Drejtësi 6083.9

Natyrshëm ky maturant, për këtë program studimi do të ketë pikët maksimale, për rezultate maksimale. I njëjti rezultat vlen edhe për programet e tjera të studimit, që kanë këta koeficiente, ku përgjithësisht hyjnë programet e studimit me drejtim shkencat humane. Por, shpeshherë gjatë plotësimit të preferencave, maturantët orientohen në disa programe studimi, që jo vetëm nuk kanë afërsi, por janë diametralisht të kundërt. Pyetja shtrohet: A mund ta ketë këtë rezultat maturanti për programet e studimit ku bazë janë shkencat ekzakte? Le të marrim dhe të analizojmë një shembull nga programet e studimit të Fakultetit Ekonomikut: Ekonomiks. Ky fakultet, për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme me profil shoqëror, koeficientin e shkollës e ka 1.2. Pra, krahasuar me shembullin e Drejtësisë, kemi një diferencë prej -0.2 në koeficientin e shkollës. Po të analizojmë koeficientet e lëndëve me zgjedhje gjithashtu do të vëmë re se lënda Njohuri për Shoqërinë ka koeficientin 1, pra -0.3 krahasuar me Drejtësinë, po kështu dhe Ekonomi dhe Filozofi. Nëse do të llogaritim pikët me koeficientet e ndryshuar, për këtë program studimi, do të vëmë re se maturanti pëson një ulje të ndjeshme të pikëve.

Shembulli 2

Po marrim të njëjtin maturant me vlerësimet: D1=8.64; D2=8.2; Z1=8.85; Z2=9.68; M=9.41.

SHM KSH Z1 KZ1 Z2 KZ2 Dega Pikë
Drejtim Shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi - Filozofi 1 Ekonomiks 5003

Menjëherë bie në sy diferenca e pikëve që fiton maturanti në të dy rastet. Është një diferencë prej gati një mijë pikësh për këto dy programe studimi të drejtimeve të ndryshme, ku të tre koeficientet kanë diferenca të dukshme.
Edhe pse rasti që morëm, flet për rezultate të larta në të pesë elementët e Maturës Shtetërore, maturanti nuk u shpall fitues në preferencën e tij të parë, që ishte Ekonomiks, për shkak të pikëve që grumbulloi. Ai u shpall fitues në preferencën e dytë (Drejtësi), ku koeficientet ishin maksimalë dhe prioritet i profilit të shkollës së mesme.
Pra, megjithëse maturanti ishte i profilit shoqëror, zgjodhi si preferencë të parë drejtimin natyror duke dhënë provime me zgjedhje të profilit shoqëror. Ky shembull tregon se maturanti, së pari, duhet të ruajë profilin e shkollës së mesme, dhe së dyti, duhet të kërkojë të japë provime me zgjedhje ato lëndë që i përshtaten programit të studimit që dëshiron të ndjekë. Më poshtë, po japim tabelën e plotë të përzgjedhjes së 10 programeve të studimit sipas radhës së preferencave të maturantit të mësipërm me rezultatet: D1=8.64; D2=8.2; Z1=8.85; Z2=9.68; M=9.41.

SHM KSH Z1 KZ1 Z2 KZ2 Dega Pikë
Drejtim Shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi - Filozofi 1 Ekonomiks 5003
Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Drejtësi 6083.9
Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Gazetari 6083.9
Drejtim Shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi - Filozofi 1 Administrim - Biznes 5003
Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Shkenca politike 6083.9
Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Psikologji 6083.9
Drejtim Shoqëror 1.4 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Punë sociale 6083.9
Drejtim Shoqëror 1.2 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi - Filozofi 1 Farmaci 5003
Drejtim Shoqëror 1.3 Njohuri për shoqërinë 1 Ekonomi - Filozofi 1.3 Financë Kontabilitet 5531
Drejtim Shoqëror 1.3 Njohuri për shoqërinë 1.3 Ekonomi - Filozofi 1.3 Anglisht 5821.4

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›