Provimi i Letërsisë, nesër rezultatet në duart e 39 mijë maturantëve
Ditën e nesërme, 39 mijë maturantë në vend do të kenë mundësi të njihen me notën që kanë marrë në provimin e Letërsisë. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), konfirmojnë se tashmë gjithçka ka përfunduar dhe pritet vetëm shpërndarja e rezultateve të provimit në drejtori arsimore e shkolla. Për këtë, brenda ditës së sotme, Ministria e Arsimit pritet të shpërndajë në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit rezultatet e provimit të parë të detyruar të Maturës. Menjëherë pas depozitimit të rezultateve në drejtoritë arsimore, këto të fundit, do të kryejnë printimin e tyre për t’ua dërguar më pas shkollave, të cilat duhet të bëjnë edhe afishimin e rezultateve në ambiente të dukshme. Maturantët, që nuk janë të bindur për notën që kanë marrë në provim, kanë vetëm katër ditë kohë në dispozicion për të bërë ankesat ndaj rezultateve. Sipas rregullores së sivjetshme të Maturës, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA rivlerësim të testit të tij. Për këtë, brenda katër ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) një kërkesë dhe mandat-arkëtimin e pagesës së tarifës së përcaktuar.
16 Qershor 2009