E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH, pagat e reja të mjekëve të lagjes dhe atyre që punojnë në zona të thella

Specialistët përcaktojnë rritjen në bazë të kategorive përkatëse.

Emanuela Sako

Rriten pagat e mjekëve dhe infermierëve në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit. Rritja është përcaktuar në bazë të kategorive përkatëse të mjekëve të familjes, specialistëve, infermierëve me arsim të lartë e të mesëm etj. Pas vendimit të qeverisë, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor përmes Këshillit Administrativ vendosi rritjen e pagave për të gjithë personelin e qendrave shëndetësore. Rritja konsiston deri në 17% për mjekët e familjes dhe deri në 21% për specialistët. Aktualisht, paga mesatare për një mjek në qendrat shëndetësore, bashkë me dy paga shpërblim në vit bëhet 60 mijë lekë në muaj. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, sqaroi rritjen e fundit të pagave. “Në vijimësi do të kemi rritje të pagave me ritme të tilla, si një nga format për të arritur një objektiv të rëndësishëm të ISKSH-së, luftën kundër informalitetit në sistemin shëndetësor”, - u shpreh Elvana Hana.
Rritja
Nga rritja e fundit e pagave përfitojnë rreth 9300 punonjës të shërbimit parësor. ISKSH-ja kërkon të stimulojë mjekët në zonat e thella të vendit, ku mungesat në personel janë tepër të mëdha. Rritja e pagës për mjekët në zonat malore është 4%. Kjo rritje është e ulët në raport me mjekët në zonat qendrore, por fluksi i pacientëve në këto zona është më i ulët. Gjithashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar mjekëve në zonat qendrore për shkak të ngarkesës më të madhe të punës. Rritja më e lartë është parashikuar për mjekët që mbulojnë zonat qendrore 16.3%, në zonat fushore rritja është 11.2%, në atë kodrinore 9%, ndërsa për mjekët në zonat malore 4%. Konkretisht, një mjek në zonën qendrore me ngarkesë normale me 2 mijë banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen 12 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore bruto 47 mijë lekë. Ndërsa një mjek në zonat malore apo zona të thella malore, që kryen 6 vizita në ditë, do të paguhet me pagë mujore 79 mijë lekë. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 1700 mjekë familjeje me një efekt financiar 8 mujor, mbi 82 milionë lekë. Rritje të konsiderueshme përfitojnë rreth 300 mjekë specialist, ku paga mesatare mujore e të cilëve nga 40 mijë lekë që ishte, bëhet 48.500 lekë. Kjo rritje përllogaritet të jetë me 21% dhe ka një efekt financiar rreth 24 milionë lekë.
Infermierët
Pagat e personelit infermieristik pësojnë një rritje rreth 13 %. Pagat për këtë kategori janë ndarë sipas arsimit të lartë dhe të mesëm që i përkasin. Duke u nisur që nga 1 Maji pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional, përfitojnë nga 28 mijë lekë që ishin, bëhen 32 mijë lekë. Pagat e infermierëve me arsim të lartë nga 32 mijë lekë që ishin, bëhen 35 mijë lekë. Ndërsa pagat e kryeinfermierëve pësojnë ndryshim nga 30 mijë lekë shkojnë në 38 mijë lekë. Po kështu, përfitojnë rritje në masën 14% infermierët me arsim 8 - vjeçar, si dhe ndihmës infermierët që arrijnë në 29 mijë lekë nga 25.400 që ishin. Nga kjo rritje përfitojnë mbi 6700 infermierë, me një efekt financiar rreth 186 milion lekë. Për ekonomistët e qendrave shëndetësore dhe personelin mbështetës paga do të pësojë një rritje me 10 %. Ekonomisti është një pozicion pune që sapo është hapur nga ISKSH-ja, në bazë të reformës në shërbimin parësor. Ne total efektet financiare nga rritja e pagave të mësipërme është rreth 307 milion lekë.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›