E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët: ”Nisën problemet e lëkurës nga uji i ndotur”



Uji i ndotur i plazheve apo pishinave ka bërë që një numër i madh qytetarësh të drejtohen tek mjekët specialistë. Këta të fundit bëjnë të ditur se janë paraqitur rastet e para të qytetarëve me probleme në lëkurë, të cilat janë shkaktuar nga niveli i ndotjes së ujit në plazhe apo pishina. Sipas tyre, pacientët janë paraqitur me simptoma të infeksioneve të ndryshme në lëkure, të cilat shkaktohen nga papastërtia. Megjithëse sezoni i plazhit sapo ka filluar duket se do të ketë një rritje të mëtejshme të problemeve. Prandaj mjekët rekomandojnë që qytetarët të mos lahen në ujëra të ndotura, si dhe të mos qëndrojnë në rërën e papastër në breg të detit. Shumica e personave që janë drejtuar në spital për shkak të problemeve të saposhfaqura në lëkurë, vijnë nga plazhi i Durrësit. Ky plazh është një nga plazhet më të ndotura në vend, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë deri tani për pastrimin e bregdetit. Kjo ndodh, pasi plazhi i Durrësit mban dhe numrin më të madh të plazhistëve gjatë gjithë sezonit të verës. Vitin e kaluar ISHP-ja dhe Ministria e Mjedisit bënë një monitorim për plazhet më të ndotura të vendit. Në krye të listës së plazheve më të ndotura u renditën plazhet e Durrësit dhe i Golemit. ISHP-ja dhe Ministria e Mjedisit kryen inspektime në 9 plazhet më të mëdha të vendit nga të cilat janë përcaktuar plazhet më të ndotura dhe më të pastra. Specialistët kryen monitorime në 71 stacione, nga të cilat u vu re se përqendrimi më i madh i zonave të ndotura ishin në plazhin e Durrësit dhe të Golemit. Arsyet e ndotjes kanë qenë hotelet dhe restorantet pranë bregdetit, të cilat shkarkojnë ujërat e zeza në det, si dhe mbetjet inerte. Ndërsa mbipopullimi i plazheve është një faktor tjetër ndikues në ndotjen e plazheve. Papastërtia, shpeshherë është bërë shkak për marrjen e një sërë infeksionesh. Strukturat shëndetësore dhe mjedisore kanë përcaktuar edhe zonat më të pastra. Nga monitorimi i plazheve, Dhërmiu, Himara dhe Borshi, aktualisht rezultojnë si plazhet më të pastra në vendin tonë. Specialistët theksojnë se në këto plazhe të pastra ndikim ka dhe numri më i ulët i pushuesve, si dhe mungesa e pushuesve ditorë që mendohet se bëjnë ndotjen më të lartë të plazheve. Kryesisht plazhet rezultojnë më të ndotura gjatë fundjavës, ku rritet fluksi i pushuesve.

Pediatri, fluks fëmijësh nga temperaturat e larta të fundjavës

Pediatria është mbipopulluar nga fëmijët me probleme shëndetësore që vijnë si shkak i rritjes së temperaturave gjatë fundjavës. Specialistët thonë se numri i të vegjëlve që drejtohen çdo ditë në Pediatri ka arritur deri në 200 persona. Numri i të vegjëlve që shfaqin probleme nga temperaturat, pëson rritje më të madhe gjatë ditëve të fundjavës. Shkak për këtë bëhet se prindërit lejojnë qëndrimin e fëmijëve për orë të tëra në diell. Mjekët rekomandojnë që fëmijët të mos ekspozohen në diell dhe për më tepër gjatë orëve të pikut, ku temperaturat pësojnë rritje dhe rrezet e diellit janë më të larta. Pediatria dhe pavijoni i sëmundjeve të zemrës janë më të mbipopulluarit, pasi kategoritë më të prekura janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Specialistët japin rekomandimet paraprake për ruajtjen e një diete ushqimore, ku të konsumohen sa më shumë lëngje, perime dhe ushqime të freskëta. Mjekët rekomandojnë që të përdoren veshje të lehta dhe të pambukta që të thithin djersën. Mjekët thonë se duhet të konsumohen sa më shumë lëngje, pavarësisht aktivitetit fizik, por gjithnjë duke pasur parasysh rekomandimet e mjekut. Nëse mjeku ka këshilluar që të mos merret një sasi e madhe uji për arsye shëndetësore, atëherë këshillohuni me mjekun tuaj për sasinë që duhet të përdorni. Mos konsumoni lëngje me përmbajtje kafeine, alkooli, apo sasi të mëdha sheqeri, gjë që do të sillte humbje lëngjesh nga organizmi. Evitoni gjithashtu përdorimin e lëngjeve shumë të ftohta, që mund të shkaktojnë dhimbje stomaku. Evitoni qëndrimet për një kohë të gjatë në ambiente me temperaturë të lartë dhe lagështirë të madhe. Evitoni qëndrimet në plazh dhe në rrezet e diellit në intervalin mes orës 11.00 dhe 17.00. Përdorni kapele për mbrojtjen e kokës dhe të qafës. Qëndroni brenda, nëse është e mundur në ambiente me ajër të kondicionuar. Rekomandohen banja të freskëta çdo ditë ose disa herë në ditë (sidomos për fëmijët). Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelëta. Mos lini fëmijë vetëm në makina të mbyllura, të parkuara. Kujdes të veçantë për popullatat në risk, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë me probleme kardiovaskulare të hipertensionit dhe diabetikët. Vizitoni fëmijët dhe të rriturit me probleme të shëndetit periodikisht.
c

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›