E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpejtësia dhe alkooli, tre të vdekur e katër të plagosur

Bulevardi i kryeqytetit është përgjakur mëngjesin e djeshëm, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara. Bilanci ka qene fatal. Tre të vdekur dhe katër të plagosur, ndërsa drejtuesi i një prej automjeteve është vënë në pranga. Sipas të dhënave të para, shpejtësia tej normave të lejuara dhe përdorimi i alkoolit kanë qenë shkak i këtij aksidenti të rëndë në qendër të kryeqytetit. Një fundjavë e mbyllur në mënyrë tragjike për tre viktimat, të cilët kishin kaluar natën në lokalet e Tiranës, në pritje të festave të fundvitit. Sipas burimeve zyrtare, aksidenti ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u përfshinë një fuoristradë “Land Rover” me targa TR 9251 L, si dhe një autoveturë tip “BMW” me targa të huaja. Policia ka marrë masën e arrestit për drejtuesin e fuoristradës, Aldi Ishmaku, ndaj të cilit është hapur procedimi penal, i akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Nisur nga ky rast tragjik, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, së bashku me komisariatin e Policisë Rrugore, njofton se do të merren masa ekstreme ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët ecin me shpejtësi tej normave të lejuara, drejtojnë mjetin nën efektin e pijeve alkoolike. Ky kontroll do të ushtohet kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë të gjithë këtyre netëve që shoqërojnë festat e fundvitit duke filluar që prej ditës së djeshme. Gjithashtu, po sipas burimeve, janë ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme si në qytet ashtu dhe në linja.

Bilanci i një viti

Në një vit në qarkun e Tiranës kanë ndodhur mbi 590 aksidente, nga ku ka pasur 79 viktima, 73 persona të plagosur rëndë dhe mbi 501 persona të plagosur lehtë. Ky qark vazhdon të ngelet më problematiku, kjo për faktin se është përqendruar mbi 1/3 e popullsisë së vendit dhe numri më i madh i mjeteve. Për më tepër që situata bëhet më e vështirë, si pasojë e shtimit të numrit të mjeteve, nga ardhja e emigrantëve nga shtetet e tjera evropiane. Sipas ekspertëve, numri më i madh i aksidenteve vijnë si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara si dhe përdorimit të mjeteve alkoolike nga ana e drejtuesve të mjeteve. Me gjithë shtimin e masave nga ana e Policisë Rrugore, sërish ky fenomen vazhdon të mbetet tepër problematik për jetën e qytetarëve, gjë që u vërtetua më së miri me aksidentin e djeshëm, ku u përfshinë përveç dy mjeteve edhe dy kalimtarë. Nisur nga kjo, për të shmangur aksidente tragjike në qendër të kryeqytetit, lipsen masa më të rrepta, si ndaj drejtuesve që tejkalojnë shpejtësisë e lejuar brenda qendrave të banuara edhe ndaj përdoruesve të alkoolit, të cilët për shkak të abuzimit me pijen, një natë të kaluar këndshëm në ditët në prag të festave e kthejnë në tragjedi, duke marrë jetë të pafajshme njerëzish.

Aksidenti

Rreth orës 04:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës e pikërisht në kryqëzimin e tij me bulevardin “Bajram Curri”, ka ndodhur një aksident i rëndë automobilistik, ku u përfshirën dy automjete, një fuoristradë “Land Rover” me targë TR 9251 L dhe një “BMW” me targë Ç 944XA. Vetura ishte duke udhëtuar nga sheshi “Skënderbej”, në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”, ndërsa fuoristrada ishte duke kaluar në Unazë, në drejtim për nga Rruga e Elbasanit. Në makinë ishin brenda tre pasagjerë, drejtuesi i mjetit Kliton Andoni 27 vjeç, Blerta Beshi 23 vjeçe dhe një vajzë tjetër e paidentifikuar. Ndërkohë që në fuoristradë udhëtonin dy persona, Aldi Ishmaku 23 vjeç dhe Gentian Shehi 27 vjeç. Përplasja midis dy mjeteve ka qenë tepër e fuqishme. Për pasojë, fuoristrada pasi ka goditur “BMW-në” ka ndaluar në një shtyllë, ndërkohë që vetura si pasojë e përplasjes së dhunshme ka lëvizur për disa dhjetëra metra, dhe më pas është rrokullisur duke përfunduar në trotuar. Si pasojë e përplasjes së dhunshme gjetën vdekjen drejtuesi i mjetit “BMW” Kliton Andoni 27 vjeç dhe Blerta Beshi 23 vjeçe. Ndërkohë që humbi jetën edhe pasagjeri i fuoristradës Gentian Shehi 27 vjeç. Ndërsa mbetën të plagosur drejtuesi i “Land Roverit” dhe pasagjerja e tretë tek automjeti tip “BMW” e paidentifikuar, rreth 20-25 vjeçe. Në aksident u përfshinë edhe kalimtarët Arben Alla, 36 vjeç dhe Fatmir Leka, 20 vjeç, të cilët ishin duke udhëtuar si këmbësorë në trotuar në momentin e aksidentit.
Ndaj të plagosurve u dha ndihma e parë, duke i dërguar ata në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Për nxjerrjen e trupave të viktimave, si pasojë e përplasjes së fortë dhe shformimit të mjeteve, u përdorën edhe sharra elektrike.

Hetimet

Policia e Tiranës ka ngritur një grup pune për të hetuar shkaqet e aksidentit. Dyshohet se përplasja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndaj drejtuesit të fuoristradës, 23-vjeçarit Aldi Ishmaku, u mor masa e arrestit në flagrancë. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Gjithashtu dyshohet se 23-vjeçari ka përdorur pije alkoolike, ndërsa ishte duke drejtuar mjetin, ndërkohë që makinat kanë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Ndërkohë që edhe semafori në kryqëzim nuk ka qenë në gjendje pune gjatë orës 04:00. Sipas burimeve nga policia, semafori pulsonte me një interval kohor prej sekondash ngjyrën portokalli. Po punohet për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të rëndë. Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme.

Viktimat

Kliton Andoni, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
Blerta Beshi, 23 vjeç, lindur dhe banuese në Tiranë
Gentian Shehi, 27 vjeç, lindur e banues në Tiranë

Të plagosurit

Aldi Ishmaku, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë
Arben Alla, 36 vjeç
Fatmir Leka, 20 vjeç
Vajzë e moshës rreth 20 - 25 vjeç, e paidentifikuar

Statistikat

Analiza e Policisë Rrugore të Tiranës, 76 viktima në një vit

Objektiv i shërbimeve të Policisë Rrugore ka qenë përmirësimi i elementeve dhe parametrave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të këtij shërbimi, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore. Në bashkëpunim edhe me Patrullat e Përgjithshme është përballuar një ngarkesë pune për normalizimin e trafikut në Tiranë. Megjithatë, bilanci i viktimave nga aksidentet ka qenë tejet i rëndë, një bilanc lufte. Gjatë vitit 2009 në qarkun e Tiranës kanë ndodhur gjithsej 587 aksidente me 76 viktima, 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 persona të plagosur lehtë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›