E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH për liritë fetare, Withers: Shqipëria shembull



“Shqipëria është shembull për lirinë fetare”. Kjo nënvizohet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili u prezantua dje nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.
Withers theksoi gjatë fjalës së tij se toleranca fetare ka zanafillë të hershme në Shqipëri dhe kjo është ruajtur dhe përcjellë ndër vite, duke u kthyer kështu në traditë.
“Të gjitha komunitetet fetare në vend jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin dhe kjo është për t’u vlerësuar”,- tha Withers, ndërsa nënvizoi dhe faktin se në vendin tonë respektohen zakonet dhe traditat fetare. Me rastin e prezantimit të raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për lirinë fetare, në Ambasadën Amerikane në kryeqytet u organizua një ceremoni e vecantë, ku morën pjesë krerë të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të qeverisë, dhe të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Harmonia fetare, Topi takon Patriarkun e Aleksandrisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti dje në Presidencë Patriarkun e Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Fortlumturinë e Tij, Theodhorin II dhe Kryepeshkopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasin dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në përbërje të cilit është edhe Hirësia e Tij, Mitropoliti i Kampalës dhe Eksarku i gjithë Ugandës, Jonai. Kreu i shtetit shqiptar theksoi rolin e jashtëzakonshëm të luajtur nga udhëheqësit shpirtërorë për promovimin e vlerave më të mira të fesë, për rritjen e besimit ndaj Zotit, për fuqizimin e harmonisë ndërfetare dhe paqes shoqërore në shërbim të arritjes së një jete më të mirë për të gjithë. Presidenti Topi bëri edhe një përshkrim të situatës më të fundit në Shqipëri duke vënë në dukje që vendi ynë tashmë është një vend i stabilizuar politikisht dhe ekonomikisht, siç e vërteton edhe anëtarësimi në NATO dhe rruga drejt përmbushjes së aspiratës integruese për në Bashkimin Evropian, “një vend ku garantohet dhe respektohet liria fetare dhe e drejta e ushtrimit të besimit, një vend ku mbizotëron harmonia dhe toleranca fetare dhe ku të gjithë kremtojmë së bashku festat fetare të njëri-tjetrit”. Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Fortlumturia e Tij, Theodhori II, pasi shprehu mirënjohjen për pritjen edhe në emër të delegacionit që e shoqëronte, vuri në dukje rëndësinë e shembullit të rrallë e të vyer që ofron Shqipëria përsa u përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›