E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektbuxeti i vitit 2010, skema e rritjes së pagave dhe pensioneve



Eljona Ballhysa
Projektbuxheti i vitit 2010 parashikon vazhdimin e rritjes së rrogave dhe pensionet. Në këtë projekt parashikohet që rritja e pensioneve do jetë nga 7 deri në 10 për qind, ndërsa e pagave nga 4 deri në 10 për qind. Deklaratën për vazhdimin e politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve e bëri dje kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. “Mazhoranca po afron momentin më të rëndësishëm të veprimtarisë së saj vjetore, projektbuxheti për vitin 2010-të. Pa mëdyshje, ky është momenti më kulmor i veprimtarisë së një mazhorance. Ne e miratojmë projektbuxhetin këtë javë në qeveri dhe do ta sjellim për shqyrtim në Komisionet Parlamentare dhe Parlamentin në tërësi. Këtë vit, ligji i buxhetit hartohet mbi bazën e një ligji të ri organik që kjo mazhorancë e votoi para zgjedhjeve. Pra, hartohet me një kushtetutë të re buxhetore”, është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se në thelb të këtij dokumenti qëndron rritja e rrogave dhe pensioneve, projektet e rëndësishme në infrastrukturë si dhe reforma në sektorin e shëndetësisë. “Ky buxhet do të përmbushë plotësisht direktivat apo programin e mazhorancës të shpallur para qytetareve shqiptarë gjatë fushatës elektorale; do të mbështesë fuqishëm procesin më kryesor të vendit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian; do të mbështesë të gjitha projektet që synojnë ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Buxheti i vitit 2010 është buxheti i një guximi të veçantë, sepse bazohet mbi parashikimin e rritjes së të ardhurave në vend prej 12 për qind. Kjo mund të jetë një nga qeveritë e vetme në botë, ndoshta e vetmja në Evropë, që parashikon rritje prej 12 për qind të të ardhurave. Ne do të vazhdojnë me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, sepse ne e kemi këtë politike kryesore; do të vazhdojmë me luftën e pamëshirë ndaj varfërisë dhe mjerimit; do të vazhdojmë me një standardizim të ri të ndihmës ekonomike”, është shprehur kryeministri.
Skema e rritjes
Në projektbuxhetin për vitin 2010 parashikohet që rritja e pensioneve të jetë nga 7 deri në 10 për qind, ndërsa e pagave nga 4 deri në 10 për qind. Përsa i përket pensioneve, rritjen më të madhe do ta kenë ato të fshatit, pasi objektivi i qeverisë është barazimi i tyre me pensionet e qytetit brenda katër viteve të këtij mandati. Në fakt, gjatë tre viteve të fundit pensionet e fshatit kanë përfituar rritjen më të lartë të pensionit. Sipas të dhënave zyrtare, numri i pensionistëve në të gjithë vendin arrin në 520 mijë. Lidhur me pagat, rritja më e madhe do të jetë për ato të ulëtat. Fondi për pagat gjatë vitit 2010 do të jetë rreth 624 milionë dollarë, në krahasim me rreth 572 milionë dollarë që ka qenë një vit më parë. Për sa i përket rritjes së pagave pensioneve, qeveria ka parashikuar një fond prej 30 milionë dollarë për të përballuar rritjen e tyre. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 12.4 miliardë lekë si kontigjencë dhe fond rezervë. Por fondi rezervë dhe ai i kontigjencës së një viti më parë ka pasur një shumë prej 2.5 miliardë lekë më të madhe se në vitin 2010. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave është zvogëluar nga 2.6 miliardë lekë të reja në 2 miliardë lekë, ndërsa fondi që përballon rritjen e pagave dhe pensioneve është zvogëluar nga 85 milionë dollarë në 30 milionë dollarë.
Infrastruktura
Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij bëri të ditur se në projektbuxhetin për vitin 2010 janë parashikuar ndërtimi i projekteve të mëdha rrugore. “Ne do të vazhdojmë me projektet e mëdha, me rrugën e Arbrit, me boshtin e jugut, me boshtin Qafë Plloçë - Qukës dhe sapo të përfundojë projekti do të fillojë trajektorja më e shkurtër Tiranë – Elbasan për të bërë realitet, sa më shpejt të jetë e mundur, një ëndërr të fortë, të fuqishme, të drejtë dhe legjitime të qytetarëve të Elbasanit, për të ardhur në kryeqytetin e tyre në një kohë 20-25 minuta dhe për të ndjerë afërsinë gjeografike që kanë me kryeqytetin, por që i pengonte mali i Kërrabës. Tani do të jetë tuneli, i cili afron qytetin e Elbasanit, qytetin e dytë më të madh të vendit, me Tiranën, por afron dhe Korçën, Librazhdin, Pogradecin dhe pasi të ndërtohet Boshti i Jugut afron dhe Beratin, Tepelenën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën me kryeqytetin e tyre dhe na bën të mundur të mbajmë dhe zotimin tonë që Tirana të arrihet me më pak se gjysmën e kohës që arrihet tani nga çdo pikë e vendit”, është shprehur Berisha.
Shëndetësia
Kryeministri gjithashtu shtoi se ky buxhet do të mbështesë fuqishëm reformën në shëndetësi. “Ky mandat në raport me reformat është mandati i reformave të thella në shëndetësi. Mamografia, pap-testi, por, për t’i bërë qejfin edhe liderit të opozitës, edhe echographia e nënave shtatzënë do të jenë falas. Këtë ai e premtoi në program, por nuk vjen të bëjë betejë në Parlament. Por, e marrim dhe e shndërrojmë në realitet. Këto ekzaminime do të jenë falas, shpenzimet për to do t’i marrë përsipër qeveria. Ky buxhet do të mbështesë arsimin, reformën e thellë dhe të gjithanshme të sistemit arsimor, do të mbështesë moshën dixhitale”, - është shprehur kreu i qeverisë.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›