E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk e deklaruan pasurinë, ILDKP gjobit pesë ish-deputetë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) vendosi dje masën administrative të dënimit me "gjobë" për 11 subjekte, të cilët nuk kanë përmbushur detyrim për deklarim të interesave private pas largimit nga detyra. Pas rakordimeve të kryera në Regjistrin Themeltar të Subjekteve Deklarues, si dhe pas komunikimit shkresor me institucionet ku ushtrojnë ose kanë ushtruar funksionet e tyre këta zyrtarë, si dhe me vetë subjektet, ILDKP ka evidentuar disa raste të mosrespektimit të afateve ligjore për subjekte, të cilët kanë mbartur funksione të ndryshme, si ish-deputetë, drejtorë drejtorie, punonjës të administratës doganore dhe të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Masa ligjore me gjobë 20 mijë lekë është marrë për pesë ish-deputetë: Rexhep Uka, Durim Lamaj, Hajrulla Paturri, Pashko Ujka dhe Diana Culi. Gjoba është vendosur edhe ndaj Ornela Maçaj, bazuar mbi funksionin që ka pasur si specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Një tjetër subjekt është Grid Rroji, drejtor në Këshillin e Ministrave. Eva Nomani me funksion doganiere, Xhuliana Hysi doganiere, Sadik Bica regjistrues dhe Maliq Xhebra, drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk kanë deklaruar gjithashtu pasurinë pas largimit nga funksioni që mbanin. Mosrespektimi i afateve për deklarim të interesave private bie ndesh me kërkesat e ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike" dhe parashikohet si kundërvajtje administrative nga neni 44/1, germa "c", sipas të cilit: "Për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20.000 (njëzet mijë) lekë deri në 30.000 (tridhjetë mijë) lekë". Masa administrative e vendosur ndaj subjekteve nuk i përjashton nga detyrimi për deklarim të interesave private, pasi, refuzimi për deklarimin në Inspektoratin e Lartë, edhe pas marrjes së kësaj mase administrative përbën "kundërvajtje penale dhe dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal".

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›