E Shtunë, 31 Tetor 2026

U shtyp macen, e masakrojnë me sëpatë

U shtyp macen aksidentalisht, goditet me sëpatë nga dy vëllezër, pronarë të kafshës shtëpiake. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në rrugën automobilistike që përshkon tej-përtej fshatin Valare, në Komunën e Lunxhërisë në Rrethin e Gjirokastrës. Burime të policisë në Komisariatin e Gjirokastrës kanë bërë të ditur se Dhimitraq Tore, nga fshati Nokovë i Lunxhërisë, duke udhëtuar me automjetin tip "Mitsubishi", me targa greke ZIM6088, në drejtim të Gjirokastrës dhe më pas për në drejtim të pikës kufitare të Kakavijës për në Greqi, ka aksidentuar një mace shtëpie. Nga tronditja që ka pësuar makina, 29-vjeçari Tore ka frenuar menjëherë, duke kujtuar se kishte aksidentuar ndonjë kalimtar të rastit. Në këtë kohë, i zoti i kafshës shtëpiake, Miklovan Ngjelina, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Valare, e ka goditur me sëpatë në shpinë. Më pas në vendngjarje ka mbërritur edhe vëllai tjetër binjak, Lordjan Ngjelina, dhe ata së bashku kanë vazhduar dhunën mbi emigrantin. Pas mbërritjes së forcave të policisë, dy vëllezërit Ngjelina kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë së grupit të gatshëm, me qëllim shmangien e shoqërimit të tyre për në polici.
"Kur frenova, mendova se kisha shtypur ndonjë njeri. Te makina m‘u afrua një djalë dhe nisi të më shajë e të më godasë me sëpatë në shpinë. Me ardhjen e forcave të policisë situata është normalizuar dhe me ndihmën e policisë, të të afërmve të mi dhe të disa fshatarëve nga Valareja, jam ndihmuar të ngrihem dhe më kanë dërguar me urgjencë për mjekim në spitalin e Gjirokastrës. Jeta ime ishte rrezikuar seriozisht dhe vetëm fati më ka shpëtuar nga vdekja e sigurt", ka thënë emigranti për "Shqip", ndërsa po merrte mjekime në repartin e kirurgjisë së spitalit rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër.
Burime të këtij spitali thanë se bëhej fjalë për një plagosje të lehtë dhe gjendja shëndetësore e të plagosurit është përmirësuar. Ai tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka shkuar grupi i gatshëm, si dhe grupi hetimor dhe mësohet se me gjithë kundërshtimin e tyre, dy vëllezërit Ngjelina janë shoqëruar forcërisht për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Nga ana e policisë janë kryen të gjitha veprimet procedurale dhe u bë arrestimi në flagrancë i vëllezërve Miklovan dhe Lordjan Ngjelina, të akuzuar për kryerjen e veprave penale "Plagosje e lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim", dhe "Kundërshtim i punonjësve të Policisë të Rendit Publik, kryer në bashkëpunim", vepra këto të parashikuara nga nenet 89 dhe 25 si dhe 236/2 të Kodit Penal.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›