Gripi, maska mbrojtëse vetëm për personelin mjekësor
MSH shpërndan materiale mbrojtëse dhe informative në 12 rrethe
Specialistët e Instituti të Shëndetit Publik: Asnjë rast i dyshuar
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë arritur të sigurojnë maska mbrojtëse vetëm për personelin shëndetësor. Të parët që janë pajisur me to kanë qenë inspektorët e vendosur nëpër pikat kufitare, porte dhe aeroporte. Ndërsa një pjesë e spitaleve dhe poliklinikave të vendit pritet të furnizohen javën e ardhshme. Burime pranë MSH-së konfirmojnë se ende nuk e shohin të arsyeshme shpërndarjen e këtyre maskave në popullsi, pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë të dyshuar në vendin tonë me këtë sëmundje.
Alarmi
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron virusin e gripit H1N1 ende në shkallën e pestë. Sipas kësaj organizate, përhapja e këtij virusi duket sikur ka ngadalësuar ritmin e tij. Megjithëkëtë Instituti i Shëndetit Publik ka përgatitur disa pamflete informative mbi këtë virus për t’u shpërndarë në popullatën e gjerë. Ndërkohë që për pajisjen me maska nuk shikohet e domosdoshme. Ndërkohë, sipas burimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, janë shpërndarë materiale mbrojtëse dhe informative në 12 rrethe të vendit. Aktualisht mësohet se në aeroportin e Rinasit kanë hyrë që nga dita kur nisi alarmi i gripit të derrit 233 amerikanë, 60 kanadezë, 11 izraelitë, 56 austriakë, 133 gjermanë, të gjithë nga vende të prekura nga ky virus, por që fatmirësisht këta pasagjerë nuk kanë shfaqur asnjë shenjë të këtij virusi. Mes të huajve kanë qenë edhe katër meksikanë, vendi i të cilëve ishte origjinë e sëmundjes, ku ka pasur edhe të vdekur. Por autoritetet shëndetësore shqiptare kanë përjashtuar mundësinë se ata janë të prekur nga virusi, për sa kohë jetonin prej disa muajsh në Itali dhe jo në vendin e tyre.
Situata
Situata në vend duket pak më e qetë, pasi rastet nuk po përhapen më me shpejtësi. Specialistët e shëndetësisë deri më tani konfirmojnë se nuk ka asnjë rast të dyshuar me sëmundje. Nga inspektorët e vendosur në pikat kufitare, si dhe ata në aeroporte dhe porte, konfirmojnë se deri më tani nga hyrjet nuk ka pasur persona të prekur nga kjo sëmundje. Ndërkohë që masat janë shtuar akoma më shumë kur vetëm para dy ditësh në vendin fqinj, Itali, është konfirmuar rasti i parë i prekjes nga gripi i derrave. Për shkak të konfirmimit të një rasti së fundi në Itali, Danimarkë, Hong-Kong dhe Ukrainë, në pikat tona kufitare ka nisur dezinfektimi dhe deri më tani procesi ka përfunduar në portin e Durrësit. I infektuar është një pacient 53-vjeçar, që ka qëndruar disa ditë në spital, por që tani është shëruar. Ai ishte kthyer pak kohë më parë nga Meksika dhe kishte rezultuar pozitiv, por aktualisht pacienti nuk paraqet me asnjë simptomë. Italia bëhet kështu vendi i 16-të, që konfirmon praninë e H1N1. Ndërkaq, OBSH ka shpërndarë në internet bilancin më të fundit të përhapjes se gripit A. Janë 615 raste të konfirmuara dhe 17 viktima, krahasuar me buletinin e mëparshëm, që raportonte për 367 raste dhe 10 viktima.