E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi, poliklinikat pa materiale mbrojtëse

02/05/2009  Gripit i derrave, shpërndahen informacionet parandaluese në aeroport, pika kufitare e shkolla

Paralajmërohet një tjetër valë të rikthimit të virusit të gripit gjatë muajit shtator

Me kalimin e orëve po shtohet rreziku i afrimit të epidemisë së gripit të derrave edhe në vendin tonë. Kjo pasi evidentimi i rasteve të reja, sidomos atyre në Evropë, ka ardhur në rritje të vrullshme gjatë 48 orëve të fundit. Pavarësisht deklaratave të bëra nga zyrtarët e dikastereve tona përgjegjëse se janë marrë masat në të gjitha institucionet shëndetësore për parandalimin dhe trajtimin e hershëm të këtij virusi (që sipas paralajmërimeve të OBSH-së do të vijë dhe te ne), situata paraqitet ndryshe. Ndonëse prej ditësh alarmi i përhapjes është lëshuar edhe për vendin tonë, pothuajse të gjitha qendrat shëndetësore në kryeqytet apo dhe në rrethe nuk janë të pajisura me materialet e duhura mbrojtëse. Përkundrejt këtij risku pak ditë më parë është kërkuar që afrimi i epidemisë duhet të gjejë qendrat shëndetësore të përgatitura, çka do të thotë se ato duhet të jenë të pajisura me materialet ndihmëse, si maskat, dorezat apo veshjet e përshtatshme. Por pranë tyre nuk janë shpërndarë ende materialet ndihmëse. Në kryeqytet vetëm dy prej poliklinikave rezultonin të kishin pajisjet e përdorimit të përditshëm për përballimin e çdo situatë të rrezikshme që mund të shfaqet. Ndërkohë drejtuesit e ISHP-së janë shprehur se maskat për parandalimin e gripit të derrave janë posaçme dhe nuk kanë të bëjnë me maskat e kirurgjisë. Aktualisht është pohuar se gjenden rreth 2000 mijë maska të tilla, të një cilësie shumë të lartë mbrojtëse, por do të përdoren për rastet emergjente, kur të shfaqen. Megjithatë, është pohuar se këto materiale, që do jenë për personelin shëndetësor, po shpërndahen pranë drejtorive të shëndetit publik për rast rreziku të shfaqjes së epidemisë. Sipas OBSH-së, në Meksikë rezultojnë rreth 310 persona të infektuar, 10 prej të cilëve kanë humbur jetën. Ndërsa në Evropë janë gjithsej 27 raste me virusin H1N1 - në Austri, Gjermani, Spanjë, Ukrainë, Holandë dhe Zvicër.

Informacionet mbi sëmundjen

Materialet

Ofrimi i informacioneve nëpërmjet shpërndarjes së materialeve, si fletëpalosje apo botime të posaçme, do të ndihmojë banorët që të kuptojnë më mirë simptomat dhe të tregojnë kujdesin e duhur ndaj masave parandaluese. Specialistët e shëndetit pohojnë se vendi ynë mund ta përballojë këtë situatë vetëm në rast se edhe vetë qytetarët ndërgjegjësohen për zbatimin e rregullave të higjienës personale, ku rekomandohet që larja dhe dezinfektimi i duarve të kryhet vazhdimisht, kërkohet mënjanimi i frekuentimit të vendeve publike, në rast se paraqiten simptomat, qofshin këto edhe të gripit normal. Shpërndarja e këtyre materialeve ka nisur dje në ambientet e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", pikat e kalimit kufitar, në shkollat publike e private dhe institucione të tjera.

Rikthimi i virusit në shtator

Institucionet paralajmërojnë një tjetër valë të rikthimit të virusit të gripit gjatë muajit shtator, por nuk deklarojnë nëse do të jetë më i rëndë apo i lehtë në përhapje sesa faza e tmerrshme që ka pushtuar mbarë botën gjatë këtyre ditëve. Lajmi është konfirmuar nga kreu i ISHP-së bazuar në të dhënat dhe raportimet e vazhdueshme që po bëhen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo e fundit ka pohuar se virusi H1N1 i ri parashikohet të ketë një tjetër përhapje rreth muajit shtator, kohë në të cilën pritet të prodhohet dhe stoku i parë i vaksinës parandaluese. “Ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për një valë të parë, e cila mendohet se është e lehtë, por që mund të rikthehet sërish me fillimin e sezonit të gripit dhe asnjë nuk mund ta thotë me siguri nëse do të jetë më e fortë apo më e lehtë”, ka pohuar Ylli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›