Rikthimi i vërtetë i PD-së
Prej kohësh kam vënë re që Partia Demokratike ka qenë më e ngurtë, ndonëse korrekte dhe strikte në marrëdhëniet me publikun dhe komunitetin, njëherësh duke nguruar pa vend për të thënë shumë gjëra të domosdoshme. Fushata elektorale në media është zhvendosur fort edhe në terren, ku përfaqësues të partisë po komunikojnë me qytetarët për të thënë çfarë kanë bërë, çfarë nuk kanë bërë dhe më tej akoma, çfarë do të bëjnë. Nënkryetarët Topalli dhe Patozi, zëvendëskryeministri Pollo, ministrat Bode, Ruli, Basha Olldashi, Bregu, Beja etj., zëdhënësi i parlamentarëve demokratë, Aldo Bumçi, zëdhënësja e qeverisë, Bregu, e partisë, Mëhilli, drejtuesi i forumit, Bogdani, ka një ekip që po mirëfunksionon, duke ofruar pikërisht atë që ka munguar më thelbësisht. Terreni elektoral po njihet me fakte konkrete me abuzime, me shkelje dhe vepra të tjera jo legale, që ka bërë Edi Rama, kryetari i partisë dhe kryebashkiaku i Tiranës. Demokratët po prezantojnë në mënyrë më të saktë se herë tjetër se ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve, si atë që kanë administruar vetë dhe atë që ka menaxhuar opozitari Rama. Dhe bilanci në të vërtetë rezulton fatkeq për qytetarët nga përdorimi i kampit drejtues të majtë. Nuk është se socialistët janë tërësisht në opozitë, në pushtetin lokal nëpër qarqe ata menaxhojnë pothuaj barabar pushtet sa demokratët. Në Tiranë qeverisin po ata me dualizmin Rama dhe lajmet e ditëve të fundit janë modeli më i frikshëm dhe i dëmshëm për xhepat dhe buxhetin familjar të kryeqytetasve. Nëse nesër ai tenton të jetë kreu i qeverisë, atëherë lejeshumtat interesa do të sjellin një situatë shumë herë më të keqe se ajo që po prezantohet nga deklarimet e përditshme të Partisë Demokratike. Përveç korrupsionit, një tjetër leje ndërtimi, këtë herë leje ndërtimi partie dhe pushteti, është ajo e G99, që është produkt-investim i Ramës, ca për inat të partisë së vet e ca për borxhe e ndere të vjetra. Sjell sërish modelin e pushtetit pa bërë asgjë tjetër në përditshmërinë e produktit, të punës e dobisë së një profesioni të caktuar. Versioni pushtet pa punuar asnjë ditë, është oferta e servirur nga Rama nëpërmjet Veliajt, që çuditërisht po qarkon Shqipërinë me përkrahësit e tij, me financime “vullnetare” që nuk mbarojnë kurrë. G99 mund të jetë partia që merr para pa kursim vullnetarisht në këtë kohë kur ata ulërasin se ka krizë ekonomike në Shqipëri e kudo, por atyre u kanë qëlluar vullnetarë të pasur që kanë në gjak bamirësinë financiare mbase. Shpresa e opozitës deri më tani shihet se është opozita mediatike, që shërben për interesa tenderash të pafituara. Në pamundësi për të qenë përfitues të korrupsionit, këto media kanë prodhuar korrupsion duke e drejtuar kahun e mosmiratimit si qëllime korruptive të administratës dhe zyrtarëve. Por jetëgjatësia e të pavërtetës nuk mund të shkojë larg, pasi ajo që ka bërë Edi Rama, institucioni që ka drejtuar ai, renditet në vendin e 178 në shkallaren e korrupsionit. Kjo është më e qartë sa të tremb keq, duke të bërtitur se me këtë njeri në krye të punëve nuk bën dot asgjë pa paguar në mënyrë të jashtëligjshme dhe nën dorë. Janë deklarata, dokumente, akuza të shoqëruara me fakte e shkresa të shumta të bëra publike nga deputetë e ministra të Partisë Demokratike, që po tregojnë realitetin e ekipit Rama, që përgatitet të përballet si pretendent në zgjedhjet e qershorit. Nëse Ina Rama ka kohë që përveç dosjes “Basha” të shfletojë dhe gjithë këto denoncime të tjera, mund të nisë hetime të domosdoshme, më saktë duhej t’i kishte nisur. Mbiemri Rama nuk i lidh besoj drejtuesin e opozitës me atë të prokurorisë, që të ndalojë atë për veprim. Sepse edhe mosveprimi konsiderohet vepër penale për një titullar të institucionit të akuzës. Vallë nuk mjaftojnë 18 leje ndërtimi në një ditë të diele, dhënë hapur abuzivisht, që të çelet një dosje? PD me strukturën e saj ofron së fundmi qartësinë se përveç treguesve të punës së saj në infrastrukturë, anëtarësimi në NATO e aplikimi në BE, po tregon edhe miliarda euro që akuzohet se ka vjedhur pretendenti socialist për të ardhur në pushtet. Një ditë më parë, perceptimi për korrupsionin në raportin e djeshëm shënonte rënie, kjo është e padurueshme për opozitën që ka bërë namin në mediat e saj, ta shesë sa më ndryshe të vërtetën që lexohet nga kushdo. Berisha ka fituar besueshmërinë e institucioneve ndërkombëtare, partnerëve, ka mundësuar mandatimin e vendit në Aleancën e Atlantikut, shkon drejt liberalizmit të vizave e anëtarësimit në BE. Premtimi i Karamanlis për vizat shërben për afro 700 mijë shqiptarë, ky investim i Kryeministrit është vërtet përtej të majtës e të djathtës, është për të gjithë shqiptarët. Viza që do liberalizohen nga investimi i Berishës, kanë përveç të tjerash një të mirë të madhe. Që kur të vijë Rama në pushtet, sado vonë, shqiptarët të kenë një mundësi të largohen e të kthehen me ikjen e tij. Megjithëse kjo ka gjasa anemike të ndodhë. Sepse, Partia Demokratike është rikthyer me të vërtetë.