E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marshim tek “Ushtari i panjohur” kundër papunësisë e varfërisë

02/05/2009  Protesta e Konfederatës së Sindikatave të Punës

Ndryshe nga vitet e shkuara, kur festa e 1 Majit konsiderohej më shumë si ditë pushimi, këtë vit Konfederata e Sindikalistëve të Punës ka marshuar në shenjë proteste pranë sheshit “Ushtari i panjohur”, duke kërkuar uljen e nivelit të varfërisë dhe papunësisë në vend. Kryetari i Konfederatës, Kolë Nikolla, ka përuruar në mënyre simbolike një pllakë, në të cilën janë gdhendur shifrat aktuale të nivelit të varfërisë dhe papunësisë në vendin tonë. Sipas të dhënave të kësaj konfederate, niveli i papunësisë në vend rezulton të jetë jo pak, por 34 për qind. Organizimi i protestës është bërë edhe në bashkëpunim me të rinjtë e lëvizjes “Mjaft”, të cilët kanë dashur të përçojnë tek opinioni publikë mesazhin real të 1 Majit, ditë në të cilën protestohet për të drejtat e punëtorëve. “Kjo që ndodh është e kundërta e asaj që duhet të ndodhë në një ditë kur shqiptarët as nuk duhet të blejnë dhe as të shesin gjë. Mos bli asgjë, mos shit asgjë, protesto!” - shprehen përfaqësuesit e kësaj lëvizje. Nën moton “Nuk kemi çfarë të festojmë, do të marshojmë!”, u është kërkuar shqiptarëve që të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre, për sa përket sferës së punësimit. Kreu i konfederatës ka pohuar se numri i të papunëve në vendin tonë rezulton të jetë tepër i lartë, teksa shumë familje gëzojnë të ardhura minimale, duke përballuar jetesën në kushte shumë të vështira. Përkundrejt kësaj situate është kërkuar ndërhyrja e organeve qeveritare që të merren masat e duhura veçanërisht për këto kategori në mënyrë që dhe niveli i varfërisë të pësojë rënie. Protestuesit në duart e tyre mbanin pankarta, të cilat kërkonin vëmendje për ndërhyrje, si “Ktheji krenarinë Shqipërisë, ktheji krenarinë familjes tënde”, “1 Maji është dita jote, protesto” etj. Origjina e kësaj dite lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të mbrojtur të drejtat e tyre. Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të Organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-s kur punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›