Gripi në Shqipëri, ISHP: Në një javë 11 mijë të infektuar
Numri i personave të prekur nga gripi po rritet me hapa të shpejtë. Vetëm për një javë, numri i personave të prekur nga gripi në të gjithë vendin, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, është rreth 11 mijë. Specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit A/H1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar rrezikshmërinë dhe numrin e personave të prekur. Shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët këshillojnë që mjeket të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflunë në të gjitha rastet e kërkuara. "Kemi një vaksinë në treg që duhet të shfrytëzohet. Mjekët duhet të marrin masa që fillimisht të mbrojnë veten e tyre", - u shpreh Dritan Ulqinaku, specialist në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në ISHP. Virusi i gripit të derrit ka prekur kryesisht moshat aktive, ndërsa gripi sezonal prek moshat pediatrike dhe të moshuarit. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal. Janë me dhjetëra e dhjetëra fëmijë që shkojnë për kontroll çdo ditë në qendrat ambulatore të lagjeve në kryeqytet, ndërkohë që probleme kanë pasur edhe moshat e treta, sidomos ato që vuajnë nga një sëmundje kronike. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pritet që brenda disa javësh në Shqipëri të fillojë vaksinimi kundër gripit të ri pandemik për disa grupe të popullatës. Ndërkohë që specialistët e shëndetësisë bëjnë apel që qytetarët të bëjnë vaksinën e virusit të gripit sezonal për të shmangur përplasjen e dy gripeve, çka do të rezultonte tepër e rëndë për shëndetin.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)