E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba-Anelka, dyshja e “tmerrshme” e Çelsit

Njëri shënon pafund në kampionat, ndërsa tjetri firmos gola të rëndë në Champions League. Është dyshja futbollistike e momentit në sulm: Drogba dhe Anelka. Dikur ata ishin të detyruar t’i zinin vendin njëri-tjetrit në fushë, ndërsa tani me ardhjen e Karlo Ançelotit, gjërat kanë ndryshuar. “France Football” i ka intervistuar të dy për të analizuar “alkiminë” që i lidh në fushë. “Kur ai erdhi këtu nuk e quaja një konkurrent, - tha Drogba për francezin. – Madje, kur Aram Grant më pyeti nëse e aprovoja ardhjen e tij, thashë menjëherë se ishte zgjedhja e duhur. Shpresoja që më në fund të luanim dy vetë në sulm”, shton ai. Një shpresë e kotë, pasi Grant nuk luante asnjëherë me ata dy në sulm, por kjo nuk ndodhi as në kohën e Skolarit. Hidink ishte i pari që nisi të eksperimentonte, ndërsa me Ançelotin gjërat kanë ndryshuar përfundimisht. “Ishte i pari që na dha besim, - rrëfen Drogba. – Nuk kishte nevojë ta bindnim se mund të luanim bashkë, pasi na e kërkoi ai. Tani vetëm rotacioni na ndan”. Drogba dhe Anelka kanë shënuar të dy 16 gola mes Premier Ligës dhe Champions. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka realizuar 11 gola, ndërsa me Anelkanë duket se ka gjetur një partner ideal. Anelka thotë se i mjafton një shikim për të kuptuar synimet e shokut të repartit. “Unë preferoj të luaj gjithnjë si një lojtar më i tërhequr dhe integrohem më mirë në lojë me Drgbanë”, deklaroi ai.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›