E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grupi PS sherr për ndarjen zonale

03/03/2005  Deputetët socialistë kanë kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar tek OSBE, por premtojnë votën proKoja tha se në mbledhje u vendos që harta elektorale të miratohet

Ndarja e re e zonave elektorale të vendit, ka sjellë debate të ashpra dje në radhët e deputetëve të Partisë Socialiste. Marrëveshja e pranuar dhe e nënshkruar nga përfaqësuesit e PS-së, për hartën elektorale me Partinë Demokratike, dhe me kontributin e OSBE-së, sipas kundërshtarëve të draftit, ndarja e re ka prekur direkt interesat e PS-së në shumë zona elektorale të vendit. Megjithatë, gjatë votimit në seancën parlamentare, që do të zhvillohet sot, nuk priten surpriza, pasi me kërkesë të kryetarit të Grupit parlamentar është marrë vendimi që vota ndaj projektit të jetë pro.

Qëndrimi

Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka pranuar para deputetëve socialistë se ndarja e zonave elektorale, tashmë e firmosur prej dy partive kryesore, nuk është më e mira e mundshme. "Nuk kemi se çfarë të diskutojmë për ndarjen e zonave elektorale. Tashmë nga ana e PS-së është pranuar dhe është nënshkruar marrëveshja. O do të votojmë kundër të gjithë këtij drafti, ose do të votojmë pro. Unë theksoj se duhet të votojmë pro tij", mësohet të jetë shprehur Ruçi gjatë debateve. Ky qëndrim ka ardhur pas deklaratave të ashpra të deputetit Mezan Malaj, Taulant Dedja, Erion Braçe, Musa Ulqini dhe Lekë Çuka. "Kjo është ndarja më e keqe që i është bërë zonave. Dhe një fëmijë e kupton që migrimi është nga Veriu në Jug, dhe jo e kundërta. Ndërsa zonat këtu i shtohen Veriut", mësohet të ketë thënë Malaj. Ndërsa Braçe ka theksuar se "harta elektorale e Shqipërisë është masakruar". Nga ana e tij, Taulant Dedja është shprehur se ndarja e zonave në Elbasan është bërë lëmsh. Megjithatë, kryetari i Grupit parlamentar të PS-së ka kërkuar mbështetjen e draftit, pasi, sipas tij, edhe me këtë ndarje PS-ja siguron 70 deri 75 deputetë.

Deklarata

Sipas zëdhënësit politik të PS-së, Gjergji Koja, "grupi do të votojë unanimisht pro ndarjes së re zgjedhore, ky është vendim politik i grupit. Çdo deputet ka përgjegjësinë politike për t'ju përmbajtur këtij vendimi politik". Koja tha se në mbledhjen e grupit "pati debate për ndarjen elektorale, pasi Grupi parlamentar nuk është një grup i vdekur, por është shumë e rëndësishme që, edhe pas debateve, grupi arriti të marrë këtë vendim". Gjithsesi, të gjithë deputetët kanë pranuar para mediave se harta elektorale është një hartë që tregon suksesin e të dyja forcave krysore të politikës shqiptare. Sipas ministrit të Shtetit, njëkohësisht dhe deputet i PS-së, Marko Bello, "PS-ja tregoi se është e gatshme për të zhvilluar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Nuk besoj se do të ketë ndonjë arsye që Partia Demokratike të kontestojë zgjedhjet e ardhshme. Ka qenë një arritje e të dy forcave politike dhe OSBE-së dhe ne, si forcë politike, jemi shumë të kënaqur për këtë ndarje të qartë dhe të rregullt. Ka patur disa zona që kanë pasur deformime, por në një kompromis përfshihen edhe lëshimet. Ndaj kjo është mirëpritur si një punë e mrekullueshme".

Helsinki: Informoni publikun për ndryshimet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka theksuar dje domosdoshmërinë për të njohur opinionin publik me ndryshimet e shumta që i janë bërë Kodit Zgjedhor. Përfaqësuesit e këtij Komiteti janë shprehur se, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga miratimi i Kodit Elektoral, zgjedhësit nuk janë të informuar me këto ndryshime. Drejtorja e KSHH-së, Vasilika Hysi, tha se, "nëse kjo detyrë do t'i lihet vetëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, edukimi zgjedhor i shtetasve do të jetë i mangët dhe i kufizuar, dhe votuesit nuk do të jenë në gjendje të përdorin siç duhet të drejtën e votës". Gjatë një takimi të zhvilluar me pjesëmarrjen e OJF-ve, insitucioneve shtetërore dhe me specialistë të ndryshëm, KSHH ka bërë të njohur ndryshimet që i janë bërë Kodit Zgjedhor. Sipas specialistit juridik në këtë Komitet, Njazi Jaho, "në Kodin e ri, personat e ngarkuar për përgatitjen dhe miratimin e listave zgjedhore, do të përgjigjen penalisht, nëse në lista përfshihen të dhëna të rreme, ose nuk përfshihen zgjedhës". Gjithashtu, nga KSHH-ja është bërë thirrje që të punohet brenda afateve për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndërkohë që ky Komitet do të ketë grupet e tij të monitorimit në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere në Shqipëri, nga ku do të dalë dhe me raportin përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›