Nano takon në greqi emigrantët shqiptarë
03/03/2005 Kryeministri Fatos Nano është nisur dje për një vizitë punë në Greqi, ku do të marrë pjesë në Kongresin e Përgjithshëm të PASOK-ut. Gjatë vizitës triditore, kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë takime me autoritete të larta të shtetit e qeversisë greke. Nano pritet të takojë Presidentin Kostandinos Stafanopuolos, Presidentin e zgjedhur Karolios Papulias, Kryeministrin e Greqisë, Konstandinos Karamanlis, si dhe kryetarin e opozitës greke, George Papandreu. Gjatë këtyre takimeve, kreu i qeverisë shqiptare do të diskutojë për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve. Gjithashtu do të kërkojë mbështetjen e Greqisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, si dhe zhvillimet dhe bashkëpunimin në rajon. Dje Kryeministri Nano ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë dhe rrethinat e saj. Gjatë këtij takimi mësohet se kreu i mazhorancës i ka kërkuar emigrantëve një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë. Në takim merrte pjesë dhe portieri i Kombëtares së Futbollit Foto Strakosha. Ndërsa sot pritet që Nano të mbajë dhe një fjalim në Kongresin e 7-të të PASOK-ut.