Nis debati për ndarjen administrative
03/03/2005 Ekspertët e KE-së kanë deklaruar dje, gjatë një takimi me anëtarët e Komisionit të Posaçëm për ndarjen Territoriale, se ky proces nuk duhet të ndodhë përpara zgjedhjeve parlamentare, në rast se nuk janë kushtet dhe mundësitë për ta bërë këtë. Sipas ekspertëve të KE-së, ndarja administrative është baza e demokracisë lokale dhe cilësohet si shumë i rëndësishëm përpërmirësimin e qeverisjes vendore në interes të komunitetit. Deputeti Ylli Bufi, i cili është dhe njëri nga bashkëkryetarët e këtij komisioni, tha se synimi kryesor është që të arrihet të bëhet ndarja administrative përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale. "Do të kemi synimin kryesor të arrijmë të ecim që, para zgjedhjeve lokale të bëjmë një reformë territoriale", tha Bufi. Projekti i ndarjes administrative parashikon zvogëlim të numrit të komunave dhe bashkive, për të rritur efikasitetin e administratës vendore. Komisioni i posaçëm parlamentar është ngritur pas paraqitjes të një projekti për këtë qëllim nga MPVD, i cili u bë objekt i debateve të shumta. Ndërkohë që ndarja e re administrative po hartohet me ndihmën e ekspertëve të KE-së.