E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI shpall kushtet për kandidimin për kryetar

03/03/2005  Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë më 6 mars Konventën Kombëtare, nga ku pritet të marrin miratimin kandidaturat që do të konkurrojnë për postin e kreut të kësaj partie. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, lidhur me këtë proces, tha se "për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së do të mund të konkurrojnë kryetari aktual i LSI-së si dhe pa asnjë kufizim secili nga anëtarët e KDK-së, apo edhe anëtarë të tjerë të LSI-së, që mbështeten nga jo me pak se 3 për qind e anëtarësisë". Gjatë mbledhjes së dy ditëve më parë të Komitetit Drejtues Kombëtar është miratuar dhe përbërja e Komisionit Qendror për realizimin e procedurës së zgjedhjes së kryetarit të LSI-së. Në këtë proces, kjo parti do të zbatojë parimin demokratik "një anëtar, një votë" nga e gjithë anëtarësia e saj në të gjithë vendin. Aktualisht, mësohet se nuk ka dalë asnjë kandidaturë rivale përballë kryetarit Ilir Meta. Gjithsesi strukturat e kësaj partie deklarojnë se të gjithë kandidatët për kryetar të LSI-së kanë mundësi të barabarta për të bërë publike platformën e tyre në të gjitha strukturat organizative të partisë, ashtu dhe në median e administruar nga kjo forcë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›