E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi sezonal, mjekët: Vaksinohuni brenda dhjetorit



Në kohën kur e gjithë bota ka kthyer sytë nga virusi i gripit të derrave, specialistët e shëndetësisë vendase dhe të huaj rekomandojnë bërjen e vaksinës kundër gripit sezonal, ndërsa thonë se kjo vaksinë nuk krijon mbrojtje për sa i përket virusit pandemik A/H1N1, por lehtëson simptomat në rast infektimi.

Vaksina

Koha më e përshtatshme për të bërë vaksinën e gripit sezonal është brenda muajit dhjetor. Mjekët theksojnë se gripi sezonal nuk duhet nënvleftësuar, pasi edhe një grip normal mund të ketë pasoja të rënda në shëndet. Vaksina kundër gripit sezonal do të fillojë të shpërndahet në fund të muajit shtator në të gjitha farmacitë e vendit, ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandohet që vaksina të bëhet brenda muajit dhjetor. Kjo, pasi duhet që trupi të krijojë mbrojtje nga virozat dimërore që pritet të qarkullojnë. Ndonëse ISHP ka përcaktuar kategoritë prioritare për të bërë vaksinën falas, specialistët thonë se kjo vaksinë tregtohet në farmaci dhe është e këshillueshme të bëhet nga të gjithë.

Pasojat

Nuk janë të pakta pasojat që shkakton viroza e stinës së dimrit, ku ndër më të rrezikuarit janë fëmijët, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe të moshuarit. Por së fundmi mjekët ngrejnë alarmin për të sëmurët kardiakë. Tek kjo kategori gripi sezonal dhe virusi A/H1N1 mund të ketë pasoja fatale.

Kështu, sipas specialistëve të shëndetësisë, gripi sezonal këtë vit edhe për shkak të virusit H1N1 mund të shkaktojë sulme në zemër dhe më shumë vdekje nga shkaqe kardiovaskulare. Por, kjo vaksinë mund të ofrojë mbrojtje për ata që kanë probleme me zemrën. Së fundmi po kërkohet të hidhet dritë mbi lidhjet midis gripit, goditjeve dhe vdekjeve për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.

Mjekët shprehen se kjo është një arsye më shumë se përse njerëzit me sëmundje të zemrës ose me diabet (një kusht që në vetvete rrit rrezikun e sulmeve të zemrës) duhet të vaksinohen kundër gripit. Veçanërisht në dritën e dyfishtë të kërcënimit që vjen nga viruset këtë vit dhe gripi i ri sezonal i Australisë, cili do të infektojë më shumë njerëz se në sezonet e gripit normal.

Bërja e vaksinës kundër gripit sezonal ka një efekt mbrojtës për zemrën e njerëzve. Gjithashtu, vaksina zvogëlon rrezikun e vdekjes kardiovaskulare dhe disa ngjarje që dëmtojnë muskujt e zemrës. Megjithatë, sipas specialistëve, sot vaksina e gripit ka përdorim të paktë dhe kryesisht nga kategoria e të sëmurëve kronikë (duke përfshirë edhe ata me sëmundje të zemrës).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›