E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, kritika FYROM-it: Enciklopedia, shpifje e papranueshme



Nga Nju Jorku, Kryeministri Sali Berisha, mbrëmë kritikoi ashpër enciklopedinë e Maqedonisë, duke e quajtur atë si një shpifje, falsifikim të historisë, një botim të papranueshëm dhe absurd. Kritikat e Berishës i janë adresuar pikërisht Presidentit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), George Ivanov, lidhur me enciklopedinë që denigron origjinën e shqiptarëve gjatë takimit që dy personalitet zhvilluan në Nju Jork. Madje, Berisha i ka kërkuar atij daljen urgjente nga qarkullimi të enciklopedisë që ndërton identitet mbi falsifikimin e historisë. Në takimin me Ivanovin, z. Berisha është pozicionuar për herë të parë për skandalin e enciklopedisë që i konsideron shqiptarët banditë të ardhur nga mali dhe Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiun) një vllehe dhe jo shqiptare. Kryeministri Berisha theksoi se publikimi se fundmi nga ana e Akademisë Maqedonase i një enciklopedie është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm. “Duke qenë se Akademia është një institucion zyrtar i Republikës së Maqedonisë, ndërhyrja e autoriteteve të larta maqedonase me një qëndrim të qartë ndaj këtij problemi do të ishte e domosdoshme, për faktin se askush nuk mund të ndërtojë identitet bazuar mbi falsifikim të historisë”, - i deklaroi Berisha Ivanovit, duke i kërkuar në këtë mënyrë që të urdhërojë daljen jashtë qarkullimit të enciklopedisë famëkeqe. Gjatë takimit mes Berishës dhe Ivanovit, pas punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të dyja personalitetet rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore ndërmjet të dy vendeve, si dhe vendosmërinë e palëve për t’i forcuar e zgjeruar ato dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat edhe më tej, në të ardhmen. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin maqedonas Ivanov me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të kompletuar lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe i bëri me dije se Rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria shqiptare, shkurton distancën me Shkupin rreth 100 km. Integrimi evropian është një tjetër fushë ku mund të rritet bashkëpunimi dhe Maqedonia është e gatshme t’i ofrojë Shqipërisë përvojën, në veçanti për sa u përket përgatitjeve për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE. Duke e përgëzuar Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Presidenti Ivanov u shpreh se vendi i tij ndihet shumë krenar për këtë arritje të popullit fqinj e mik shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›