Gripi stinor, Jeta Lakrori: Si të mbrohemi nga infeksionet virale
Cilat janë kategoritë më të rrezikuara nga gripi në stinën e dimrit, që duhet edhe të vaksinohen dhe këshillat që rekomandohen për ta kaluar sa më lehtë sëmundjen
Gripi stinor është një infeksion (sëmundje) akut viral respirator, i shkaktuar nga viruset
e gripit stinor. Specialistja e Shëndetit Publik, Jeta Lakrori shpjegon se cilat janë kategoritë më të rrezikuara nga infeksionet virale në stinën e dimrit dhe çfarë masash duhet të merren për t’u mbrojtur prej tyre. Sipas mjekes, çdo grip stinor përhapet nga viruse të ndryshme të tij dhe prek njerëzit e ndryshëm në bazë të aftësisë së trupit të tyre për të luftuar infeksionin. Ekzistojnë disa tipe virusesh që shkaktojnë gripin, si: tipi A, B e C. Tipet e viruseve A e B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit.
Si përhapet gripi stinor?
Gripi stinor është një infeksion akut viral shumë ngjitës. Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor dhe më pas ata prekin sytë, gojën apo hundën. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit kalojnë në grykë e hundë, shtohen dhe mbas 1-4 ditë japin shenjat e gripit stinor.
Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?
Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5-7 ditë pas shenjave të gripit. Por, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të ulur, periudha infektuese mund të jetë edhe më e gjatë.
Kush rrezikon prekjen nga gripi stinor?
Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit stinor ose të bëjnë komplikacione nga gripi. Në rrezik më të madh janë: fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç; njerëzit 65 vjeç e sipër; gratë shtatzëna; dhe njerëzit me sëmundje kronike, si: astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e gjakut, sëmundjet me ulje të sistemit imunitar, si dhe HIV/AIDS, kancer etj.; njerëzit obezë; të rinjtë nën 19 vjeç që kanë përdorur gjatë aspirinën.
Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten nga virusi i gripit stinor?
Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, veprimet e përditshme parandaluese, dhe përdorimin e saktë të barnave antivirale nëse mjeku i rekomandon. Mënyra më e mirë e parandalimit të gripit është vaksinimi me vaksinën anti-grip. Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në mospërhapjen e gripit. Vaksinimi duhet të bëhet çdo vit, mbasi ka shumë lloje virusesh dhe çdo vit dalin vaksina të reja që mbrojnë nga nëntipe të reja të virusit. Vaksina përmban dy nëntipe të virusit A dhe virusin B të gripit. Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor-dhjetor. Efekti i vaksinës fillon 1-2 javë mbas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit. Injeksioni i vaksinës kryhet në pjesën e sipërme muskulore të krahut. Vaksina kundër virusit të gripit
rekomandohet për: fëmijët mbi 6 muaj; personat mbi 50 vjeç; personat e grupit që kanë rrezik më të madh për të marrë virusin e gripit; personeli shëndetësor; gratë shtatzëna; personat që jetojnë në kolektiva apo spitale kronike; personat kujdestarë për të tjerë; personat që kanë pasur reaksione të mëparshme; fëmijët nën 6 muaj. Vaksina kundër virusit të gripit nuk u rekomandohet: personave që kanë alergji nga veza; gjendje akute me temperaturë; sindroma Guillain-Barre
A jep vaksina efekte të padëshirueshme?
Vaksina nuk jep efekte të padëshirueshme. Edhe nëse takohen, janë me efekte lokale në vendin e injeksionit, të cilat zgjasin 1-2 ditë, si skuqje, dhimbje.
Cila janë veprimet e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit stinor?
Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami.
Lani duart shpesh me sapun dhe ujë, ose përdorni solucione duarsh me alkool.
Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.
Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.
Ushqehuni shëndetshëm.
Bëni aktivitet fizik.
Bëni gjumë të mjaftueshëm.
Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni.
Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit.
Ilaçet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren
vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga
fillimi i sëmundjes.
Kujdes! Antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut.
Çfarë duhet të bëjmë nëse jemi të sëmurë apo kemi të sëmurë në shtëpi?
Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi, duhet të mbani parasysh:
Qëndroni në shtëpi.
Qëndroni veç nga të tjerët.
Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë.
Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini.
Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitjeje apo teshtime.
Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj.
Evitoni kontaktet me njerëzit.
Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës.
Shenjat e zakonshme të gripit
Temperaturë e lartë
Kollë
Dhimbje fyti
Shenja të mundshme, sidomos te fëmijët
Lodhje
Dhimbje koke
Të përziera
Diarre
Të vjella
Dhimbje barku
Rrjedhje të hundëve
Dhimbje muskujsh
Shenjat paralajmëruese për emergjencë
Sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, por drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse
tek fëmijët:
Frymëmarrje e shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen
Ndryshim të ngjyrës së lëkurës
Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme
Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron
Bëhet nervoz sa që fëmija nuk dëshiron të mbahet
Rikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe
Ethe me një skuqje të lëkurës
Fortësim i qafës
Tek të rriturit
Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim
Dhimbje apo presion në gjoks apo bark
Marramendje papritur
Konfuzion mendor
Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme