QSUT burim infeksionesh, 50 gjoba për mungesën e higjienës
Drejtoria e Shëndetit Publik penalizon personelin mjekësor që nuk është kujdesur për higjienën në sallat e operacioneve, si dhe ata që janë gjendur pa librezë shëndetësore
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është shndërruar në burim infeksionesh për pacientët që paraqiten aty për të kuruar një sëmundje, dhe dalin nga spitali duke marrë edhe një sëmundje tjetër. Analizat e kryera për pastërtinë në spitalin më të madh të vendit tregojnë se në mjediset e tij spitalore dhe sallat e operacionit të kësaj qendre, niveli i infeksioneve është i lartë, çka ka detyruar inspektorët e Drejtorisë së Higjienës që të vendosin edhe gjoba. Prej disa ditësh, inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës po monitorojnë QSUT-në në lidhje me infeksionet spitalore, nivelin e higjienës, por dhe pajisjen me libreza shëndetësore të punonjësve. “Aktualisht janë rreth 50 masa administrative. Kemi konstatuar probleme të infeksioneve spitalore, persona që shkojnë me një dhe dalin me dy infeksione. Kjo nuk do të tolerohet nga ana jonë. Është e papranueshme që një mjek i cili vjen nga lokali, shkon dhe futet direkt në sallën e operacionit”, - pohon drejtori i Shëndetit Publik në Tiranë, Mëhill Gecaj. Ndërkaq, ai bën të ditur se gjoba janë vendosur edhe për sanitarët, kryeinfermierët dhe shefat e pavijoneve, të cilët nuk janë kujdesur për higjienën në sallat e operacioneve. Më problematik është Spitali Nr.1 dhe sallat e operacionit në të, por dhe Spitali i Sëmundjeve të Brendshme. Po kështu, janë penalizuar edhe mjekët së bashku me shefat e pavijoneve, që nuk kanë qenë të pajisur me librezë shëndetësore. “Vetë punonjësit, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli mjekësor duhet të ketë librezën shëndetësore të lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Pra, ky person së pari duhet të jetë vetë i garantuar për problematikat të cilat kanë të bëjnë me shëndetin publik”, - thotë Gecaj. Inspektimet në QSUT parashikohet të kryhen deri në fund të janarit. Menjëherë pas përfundimit të kontrolleve në QSUT, inspektorët e Higjienës do të inspektojnë edhe dy maternitetet e Tiranës. Vetëm një muaj më parë, nga një inspektim i bërë nga specialistët e Sektorit të Kontrollit të Infeksioneve Spitalore pranë Institutit të Shëndetit Publik, të cilët kanë vlerësuar kontrollin e sterilitetit të sallave operatore për tre muaj në QSUT, rezultoi se sallat e operacionit në spitalin “Nënë Tereza” gjenden të “pushtuara” nga koloni mikrobesh, ku më serioze situata paraqitet tek Onkologjiku. Por, pas nuk ngelen as klinikat e tjera kirurgjikale dhe reanimatore në QSUT, si: Kardiokirurgjia, Okulistika, Otorino-Laringologjia, Maxilo-Faciale, Urologjia, dhe Urgjenca, në të cilën të sëmurët nuk trajtohen para hyrjes në sallë, por futen ashtu siç paraqiten në spital. I vetmi shërbim që ka “shpëtuar” nga ky kontaminim mikrobik është salla ku kryhen transplantet, kjo ndoshta edhe për faktin se ndërhyrjet aty janë të rralla. Për sa i përket mangësive të solucioneve dezinfektante, kjo është konstatuar pothuajse në të gjitha klinikat kirurgjikale. Madje, edhe ato reparte kirurgjikale që kishin marrë një sasi të klorit, pasi është ekzaminuar kampioni, ka rezultuar se solucioni nuk ishte i efektshëm, pasi përqindja e klorit nuk ishte brenda standardeve të duhura.
“Aktualisht janë rreth 50 masa administrative. Kemi konstatuar probleme të infeksioneve spitalore, persona që shkojnë me një dhe dalin me dy infeksione. Kjo nuk do të tolerohet nga ana jonë. Është e papranueshme që një mjek i cili vjen nga lokali, shkon dhe futet direkt në sallën e operacionit”
6-katëshi në rikonstruksion, urgjencat kardiake te spitali i ri
Spitali Nr.1 i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i njohur ndryshe si Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, po rikonstruktohet. Kjo ka bërë që të gjitha urgjencat kardiake që paraqiten aty të kalojnë për te spitali i ri, ku po marrin trajtimin e duhur mjekësor edhe pacientët e shtruar në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme. Aktualisht, urgjenca e të sëmurëve kardiakë është zhvendosur nga kati i parë dhe ka shkuar tek spitali i ri. Ndërkohë që dera e urgjencës është bërë edhe hyrje për gjithë spitalin. Pasi pacientëve u jepet ndihma e parë te spitali i ri, ata nëpërmjet një korridori lidhës shkojnë në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, ku qëndrojnë të shtruar. Sipas afateve, rikonstruksioni duhet të përfundojë në fillim të javës tjetër, ndërkohë që punimet po ecin me ritme të ngadalta. Falë kësaj ndërhyrjeje, struktura e spitalit 6-katësh do të ndryshojë. Kështu, përveç rikonstruksionit të shkallëve të parme të godinës, anash ndërtesës janë bërë një palë shkallë të tjera që e lidhin këtë spital me të riun ku është urgjenca. Pjesë e rikonstruktimit janë edhe shkallët e brendshme të spitalit, si dhe ashensori që shërben për transportin e pacientëve nga kati i parë në të gjashtin.