E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi vdekjeprurës kërcënon Meksikën dhe SHBA

Autoritetet shëndetësore në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan dje shenja të përhapjes së mëtejshme të një gripi vdekjeprurës, i cili, deri tani, ka shkaktuar 68 të vdekur në Meksikë dhe tetë të infektuar në SHBA. Kryeqyteti Meksiko deklaroi mbylljen e shkollave dhe të të gjitha ambienteve publike. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se pritet zbulimi i rasteve të reja, duke qenë se janë vërejtur raste infektimesh te njerëz që nuk kanë pasur kontakte me të sëmurët.

Organizata Botërore e Shëndetit bëri me dije se virusi i gjetur te 12 pacientë meksikanë është gjenetikisht i njëjtë me atë që njihet si gripi i derrave, ndryshe H1N1, i hasur edhe te tetë pacientë kalifornianë, të cilët u shëruan më pas. Sipas qeverisë meksikane, gripi ka shkaktuar 20 të vdekur, ndërkohë që mund të jetë përgjegjës edhe për vdekjen e 48 të tjerëve. Në nivel kombëtar, rastet e raportuara deri dje ishin 1004.

Ministri i Shëndetësisë, Hoze Angel Kordova, përmes ekraneve të televizioneve, i këshilloi njerëzit të shmangnin vendet publike dhe të mbanin maska mbrojtëse në fytyrë, duke nënvizuar se nuk dihej me saktësi nëse vaksinat kishin efekt te ky virus. Ai shtoi se ritmi i vdekjeve dukej se ish ndalur dhe se gjatë ditëve të fundit nuk kishte rritje eksponenciale të numrit të të infektuarve.

Analizat gjenetike tregojnë se gripi i ri është një përzierje e paprecedentë e viruseve njerëzore, të shpendëve e të derrave. Fakti që pjesa më e madhe e të vdekurve i përkisnin grupmoshave nga 25 deri në 45 vjeç, u konsiderua shenjë rreziku pandemie, duke qenë se gripet priren të jenë më vdekjeprurës me moshat e thyera dhe shumë të reja. "Dimë se problemi është shumë kritik", u shpreh të premten Presidenti meksikan, Felipe Kalderon.

Në Kaliforni, dr. Xhil Çavez, drejtor i Qendrës për Sëmundjet Infektive tha se mund të zbuloheshin raste të reja infeksioni: "Sa më shumë të kërkojmë, aq më shumë raste mund të zbulojmë". Në Nju Jork, autoritetet shëndetësore po mbajnë nën mbikëqyrje të rreptë disa studentë të një shkolle të zonës Kuins, të cilët shfaqën shenja të kësaj sëmundjeje të enjten dhe të premten. Simptomat u konsideruan si të zakonshme dhe zyrtarët e qytetit thanë se nuk mund të arrihej në përfundimin se përgjegjës ishte ky grip. Qeveria amerikane bëri me dije se po e ndiqte me shumë seriozitet situatën dhe se po monitoronte në mënyrë të detajuar çdo zhvillim.

Në lëvizje po vihet edhe një vend aq i largët sa ç‘është Hong Kongu - epiqendra e epidemisë së SARS-it në vitin 2003, që tashmë vëzhgon me tmerr çdo kërcënim të llojit infektiv. Qendra Qeveritare për Mbrojtjen e Shëndetit bëri dje me dije se po ndjek nga afër monitorimet e bëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se do të analizonte kampionet e gripit në territorin e vet.

Ministri i Shëndetësisë, Hoze Angel Kordova, bëri me dije se në vend gjendeshin 1 milion doza antivirale, falë të cilave mund të trajtoheshin me lehtësi rastet e vërejtura deri tani. Në kryeqytetin Meksiko, një metropol i mbipopulluar që numëron 20 milionë banorë, ushtarët kanë shpërndarë maska kirurgjikale, ndërkohë që qeveria u ka këshilluar njerëzve të shmangin kontaktet e afërta fizike dhe sidomos ndarjen e ushqimit me të tjerët. Kompleksi finlandez "The Rasmus" anuloi një koncert të planifikuar në Meksiko, ndërkohë që Federata Meksikane e Futbollit bëri me dije se ka vendosur se ndeshjet e fundjavës do të zhvillohen pa praninë e publikut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›