Makina përfundon në banesë
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Katër persona të plagosur, një shtëpi e shkatërruar dhe një makinë e ngecur brenda në banesë. Ky është bilanci i një aksidenti të rëndë, që ndodhi dje pasdite në aksin Uji i Ftohtë-Skelë në Vlorë. Sipas policisë, ndër të plagosurit ishin edhe dy fëmijë, 4 dhe 7 vjeç. Mjeti tip “Benz” 280 me targë VL 5960 C, pasi goditi një makinë të parkuar, përfundoi brenda mureve të shtëpisë, duke e shkatërruar atë. Banorët që ndodheshin në të, janë tmerruar nga tronditja tepër e fortë dhe shembja e murit. Teksa të qetë po shikonin televizor, ata e gjetën veten përpara “Benz”-it që fatmirësisht, pasi shembi murin u ndalua. Drejtuesi, një 22-vjeçar dhe një tjetër bashkëmoshatar i tij mbetën të plagosur rëndë. Si pasojë e shpërthimit të murit, mjeti mori përpara furishëm edhe divanin e banesës në të cilën po flinte një vajzë katër vjeçe. E tmerruar dhe njëherazi e plagosur nga tullat që i ranë në trup, e mitura vrapoi për të dalë jashtë, pa ditur se çfarë kishte ndodhur. Të njëjtën gjë bënë edhe dy anëtarët e tjerë të kësaj familjeje. Ata janë tmerruar nga ngjarja që ndodhi fare papritur në shtëpinë e tyre. Pasojat e këtij aksidenti kanë vijuar me të tjerë të plagosur. Plagë mori edhe një fëmijë 7 vjeç, i cili po luante me biçikletën e tij. Mjeti e mori para, duke e hedhur disa metra tej. Fëmija mori plagë të shumta në trup, ndërsa biçikleta u shkatërrua. “Ishim brenda në momentin kur një goditje e fortë nga muri tronditi gjithë shtëpinë. Nuk kuptuam se çfarë po ndodhte derisa muri u shemb dhe para nesh u shfaq një makinë. Kisha mbesën 4 vjeçe që po flinte në divan. Makina e shtyu fort divanin, ndërsa vajza u ngrit e tmerruar. Për fat makina u ndalua”, u shpreh e zonja e shtëpisë së dëmtuar. Dëmet në këtë banesë janë të konsiderueshme. Muri është shembur, ndërsa orenditë ishin të mbushura gjithandej me tulla apo mbetjet e suvasë. Por për fat të mirë, kjo ngjarje e rëndë përfundoi pa viktima. Të plagosurit u çuan në spital dhe pasi morën ndihmën e parë, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut. Rruga ku ndodhi dje aksidenti është një nga akset më problematike në Vlorë. Mjetet motorike kanë përfunduar disa herë në banesa dhe lokale duke rrezikuar jetën e banorëve. Në harkun e dy muajve të fundit, në këtë zonë kanë ndodhur katër aksidente, ku makinat në dy raste përfunduan në banesë dhe në dy të tjera në lokale. Fatmirësisht, në të gjitha aksidentet janë shënuar vetëm të plagosur, por edhe dëme të konsiderueshme materiale. Banorët shprehen se duhet të merren masa sa më parë, pasi jeta e tyre është në rrezik. Ata janë ankuar në polici dhe bashki, duke kërkuar që në këtë pjesë të rrugës të vihen punonjës të qarkullimit gjatë gjithë kohës dhe jo në orare të kufizuara. Sipas Policisë së Qarkullimit Rrugor, shkaku i aksidentit të djeshëm ishte i njëjti si i tre rasteve të mëparshme. Thyerja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia e madhe tej normave të lejuara shkaktojnë devijimin e mjeteve nga rruga, duke përfunduar në objekte të banuara.