E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, biznesi: Duam amnisti fiskale

 

Fabiola Çela

Të vetmit që nuk kanë folur dhe të parët që po preken nga kriza, biznesmenët shqiptarë, kanë përgatitur kërkesat e para për të kaluar situatën e vështirë ekonomike. Në Dhomën e Tregtisë nuk diskutohet më për prekje apo jo nga kriza. Biznesi shqiptar ka bërë gati zgjidhjen e problemit, ose një mundësi për të kapërcyer krizën. Në një intervistë për “Panorama”, kreu i Dhomës së Tregtisë, tregon “paketën antikrizë” që po përgatitet. Gjok Uldedaj i rikthehet edhe njëherë kërkesës për amnisti fiskale, si një mënyrë për të çliruar kapitalin e “fshehur”. Paketa antikrizë përmban edhe uljen e TVSH-së, mbështetjen financiare me skema të eksporteve dhe financimin e ndërtimeve nga qeveria. Sidoqoftë, diskutimet për amnistinë e madhe fiskale, sot në kohë krize dhe mungese kapitalesh, kanë mundësinë më të madhe për t’u bërë ligj. “Ne i qëndrojmë fort idesë së artikuluar prej Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për një “amnisti fiskale” në shkallë të gjerë, e cila do mundësonte kanalizimin e shumë kapitaleve të fjetura drejt ekonomisë reale”.
Zoti Uldedaj kriza globale që ka përfshirë të gjithë vendet e botës edhe pse akoma nuk është ndier në tregues realë tek ne, i ka dhënë shenjat e para. Duke qenë se biznesi është target grupi që preket direkt nga kjo krizë a mund të na thoni cilët janë sektorët kryesorë që janë prekur prej saj?
Nëse në muajt e fundit të vitit që lamë pas, kur Amerika dhe vendet e tjera të Evropës u prekën nga kriza e parë e madhe financiare, ne ende nuk i kishim ndier këto efekte. Por këtë vit ka dëshmi të qartë se ne nuk mund të shpëtojmë nga efektet e kësaj krize edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Industria, ndërtimi, kompanitë që punojnë me material porositës kanë filluar të ndiejnë efektet e para të kësaj krize. Eksportet dhe të gjithë sektorët e lidhur me to si, industria e ushqimeve, veshjeve apo kompanitë që punojnë me material porositës kanë filluar të ndiejnë efektet e para të kësaj krize. Kjo ka ardhur për shkak se kompanitë e vendeve me të cilat ne kemi partnerët kryesorë në tregtinë e jashtme, si Italia, Greqia apo vendet e tjera të BE-së kanë probleme me akumulimin e stoqeve, çka përkthehet me rritjen e vështirësisë për produktet dhe shërbimet e kompanive shqiptare për të hyrë në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, sektori i turizmit dhe ai i ndërtimit do të jenë dy sektorë të tjerë, të cilët pritet të ndiejnë konsiderueshëm peshën dhe efektet e krizës. Turizmi, për shkak se efekti i krizës mbi të ardhurat për popullsinë e vendeve në zhvillim është i prekshëm, që do të thotë që edhe shpenzimet e tyre për turizëm do të pësojnë rënie.
Ndërsa sektori i ndërtimit, krahas problemeve aktuale, si reduktimi i hapësirave për ndërtim apo procedurave burokratike, do të përballet edhe me reduktimin e kërkesës, kryesisht për shkak të uljes se pritshme të dërgesave nga emigrantet që jetojnë në vendet e BE-së.
A ka shpresë për një përmirësim të situatës dhe ecuri normale të ekonomisë së vendit?
Natyrisht që nëse veprohet në kohë dhe me kujdes në drejtim të marrjes së masave të duhura, të cilat krahas ruajtjes së balancave makro-ekonomike synojnë edhe nxitjen e mundësive të së bërit biznes në Shqipëri, mund të arrihet që të ketë një ndikim të përkohshëm dhe afatshkurtër në ekonominë e vendit.
Nga ana tjetër, duhet vlerësuar politika mjaft e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të monedhës vendase, por edhe në drejtim të nxitjes së kreditimit të sektorit të ekonomisë. Në këtë pikë mendoj se mbetet e rëndësishme, që bankat të ndjekin sinjalin e dhënë nga BSH dhe të rimarrin rolin e tyre normal në afrimin e investimit mbështetës në ekonominë reale. Kjo do të thotë më shumë mbështetje në dhënien e kredive dhe ruajtjen e nivelit të kreditimit për bizneset e investuara në tregun shqiptar.
A mund të na thoni, keni një plan konkret për të propozuar në këtë situatë të krijuar?
Duke qenë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë në krizën që ka përfshirë gjithë botën, biznesi vjen me një sërë propozimesh konkrete që mendoj se qeveria shqiptare duhet t’i marrë në konsideratë. Është mjaft i madh impakti i rritjes së kërkesës dhe fuqisë blerëse dhe për rrjedhojë i mbrojtjes së vendeve të punës. Pa një stimul fiskal, ekziston rreziku që kërkesa, investimi dhe punësimi të pësojnë rënie spirale në një recesion (tërheqje mbrapsht) të gjatë e të thellë, gjë që çon në një rënie të madhe të së ardhurave nga taksat dhe rritjen e shpenzimeve mbi përfitimet sociale dhe e gjitha kjo do të rezultojë në një kërcënim të financës publike në një periudhe afatmesme.
Në këtë linjë, ne i qëndrojmë fort idesë së artikuluar prej Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për një “amnisti fiskale” në shkallë të gjerë, e cila do mundësonte kanalizimin e shumë kapitaleve të fjetura drejt ekonomisë reale. Gjithashtu, do të propozonim reduktimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet dhe shërbimet e sektorit të ndërtimit dhe krijimit të lehtësirave administrative dhe stimulimit të këtij sektori për të investuar në vendin tonë, pasi vitet e fundit si pasojë e politikave shtrënguese në shumë bashki e komuna është parë një tendencë për transferim të fondeve të tij jashtë vendit.
Plani që propozojmë përmban masa të tjera, të cilat gjithashtu do të ndihmojnë ato të cilët cenohen më shumë, si p.sh., nxitjen e skemave të garantimit për eksportet shqiptare, sugjerimin që financimi i investimeve efikase në strehimin social duhet të bëhet e mundur me anë të Fondeve Strukturore etj. 
Në anën tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka krijuar një Qendër për Kërkime dhe Trajnime, e cila do fokusohet në analiza dhe studime tregu për sektorët e rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Gjithashtu, në bashkëpunim me partnerë shumë të rëndësishëm si GTZ apo Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Austrisë do fillojmë trajnimet profesionale për bizneset shqiptare që punojnë me vendet e BE-së.
Cilët sektorë kërkojnë të stimulohen më shumë?
Ajo që kërkojmë në mënyrë konkrete është rritja e aksesit për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Banka Evropiane e Investimeve ka përmbledhur një paketë të përgjithshme të huave të SME-ve, të cilat kapin vlerën prej 30 miliardë euro për periudhën 2008-2011. Gjithashtu, qeveria italiane në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe një grup bankash të nivelit të dytë kanë filluar implementimin e Programit për zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, i cili parashikon kreditimin e komunitetit të biznesit në vendin tonë me kredi të buta. Për më tepër një vlerë shtesë prej 1 miliard euro do të akordohet nga kjo bankë për një lehtësim financiar të ndërmjetëm në zbatimin e instrumenteve financiare nën Programin e Konkurrencës dhe Ndryshimit të BE-së.
Një strategji e tillë mund të ndiqet dhe për vendin tonë, pasi janë të gjitha kushtet dhe mundësitë për ta rritur atë. Për këtë qëllim mund të merren masa konkrete dhe specifike për të reduktuar ngarkesën administrative mbi bizneset, për të përkrahur derdhjet e tyre në “cash” dhe për të ndihmuar më shumë njerëz që të bëhen ndërmarrës. Për të arritur këtë duhet të përfshihet regjistrimi i një biznesi të ri, që tek ne bëhet për tre ditë dhe me një kosto minimale si dhe mënjanimin e kërkesës mbi mikrondërmarrjet për të përgatitur llogaritë vjetore; sigurimin që autoritetet publike të paguajnë faturat për furnizimet dhe shërbimet brenda një muaji etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›