“Sigurimet shoqërore”, miratohet ulja e taksës
Që nga 1 maji i këtij viti masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5 %. Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se “edhe në të ardhmen do të ulen taksat, kjo në dobi të uljes së informalitetit”. Duke filluar nga data 1 maj 2009, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5 %, duke kaluar nga 29.5% në 24.5 %. Sipas Ministrit të Financave, Ridvan Bode, ligji redukton në 5 për qind masën e kontributeve të sigurimeve dhe do të favorizojë biznesin duke i ulur atij kostot e krizës ekonomike. Ky ndryshim ligjor ka shkaktuar edhe një debat ndërmjet ministrit me deputetët e opozitës, në lidhje me çështjet e pensioneve. “Çfarë efekti do të japë nesër te pensionet e atyre që punojnë për vite të tëra. Dikush nga qeverisja aktuale thotë se puna e zezë duhet trajtuar si vepër penale. Mendoj se kjo nuk është rruga e duhur sepse sigurimet shoqërore kanë karakter të dyfishtë. Ato janë një detyrim fiskal, por në thelb të gjithë duhet të kuptojnë se ato janë kursime që secili prej nesh lë për pension, kur të vijë mosha e tij”, u shpreh Meksi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Neranxi u shpreh pro kalimit të propozimit të paraqitur, por theksoi se “ndihma e vërtetë ndaj biznesit do të ishte ulja e TVSH-së, pasi është diskriminuese edhe për konkurrencën e lirë të tregut. Maqedonia e ka 5 % TVSH-në, pra shtetasi maqedonas i blen produktet 15% më lirë se ai shqiptar”. Projektligji “Për sigurimet shoqërore”, u votua nga Kuvendi me 59 vota pro, 1 kundër dhe 25 abstenim.