Griset hipokrizia e konstruktivit - Rama tërhiqet nga pakti për reformën në drejtësi

Edhe pse e kishte propozuar vetë, kryesocialisti i është trembur një kursi të thellë reformator në vitin e fundit të mandatit të parë qeverisës dhe ka bërë prapaktheu, duke u mbyllur në llogoren e bllokadës e bojkotit. Kryeministri Berisha rinovon ftesën për bashkëpunim, duke paralajmëruar kompromis të gjerë për nismat e fundit parlamentare, pavarësisht riskut që sjell nisja e vitit elektoral
Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u shpreh se për qeverinë dhe për mazhorancën përparësi më madhore mbeten reformat në të gjitha fushat, të cilat nuk duhet të njohin të ndalur pavarësisht se ndodhemi në vit elektoral. “Ju ftoj të vazhdojmë me reforma të thella, për të cilat vendi ka nevojë shumë të madhe. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne si qeveri, si parlament dhe si mazhorancë të vazhdojmë reformat në të gjitha aspektet në mënyrë që Shqipëria të mos njohë ngadalësim për shkak të vitit zgjedhor”, u shpreh kryeministri Berisha. Berisha u shpreh se “ky vit dhe këta muaj kërkojnë që ne të jemi më të vendosur, më aktivë dhe më të shpejtë në mënyrë që zgjedhjet e vitit 2009 të mos ngadalësojnë dhe të mos cënojnë zbatimin e dy projekteve kryesore të shqiptarëve, integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian”. Duke u ndalur në reformat ekonomike, Berisha u shpreh se ato janë të një rëndësie jetike për vendin dhe qeveria procedon me një seri ligjesh dhe vendimesh që synojnë lehtësimin e të gjitha procedurave për klimën e biznesit dhe investimet. Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe reformën në fushën e shëndetësisë, ku theksoi se sistemi shëndetësor u gjet i falimentuar nga fushata elektorale që parapriu ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet. Më tej, kryeministri Berisha u shpreh se reformat duhet të vazhdojnë edhe në Forcat e Armatosura, të cilat janë jetike për konsolidimin e tyre si forca të një vendi anëtar të NATO-s. Berisha nënvizoi, gjatë fjalës së tij, se reformat kanë si dokument bazë detyrimet që rrjedhin nga raporti i Komisionit Evropian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. “Raporti përcakton të gjitha arritjet, por edhe fushat ku duhet të punohet më shumë duke përcaktuar të gjitha detyrimet. Në këtë drejtim, unë ju siguroj se qeveria nuk do të ndërpresë për asnjë moment përpjekjet për të jetësuar kërkesat e këtij raporti”, u shpreh Berisha.
Berisha: Zbatimi i Kodit Zgjedhor me shpejtësi e seriozitet, përparësi madhore e qeverisë/Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, konfirmoi dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të punohet me vendosmëri për të zbatuar Kodin Zgjedhor dhe për t’i dhënë vendit infrastrukturën më solide dhe më moderne për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Pati një rëndësi shumë të madhe fakti që Kodi Zgjedhor u miratua rreth tetë muaj para zgjedhjeve. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që çdo ditë të punohet për t’i dhënë vendit infrastrukturën më moderne për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në drejtim të pajisjes që qytetarëve me kartat e identitetit, listave të zgjedhësve, të zbatimit të Kodit Zgjedhor me shpejtësi e seriozitet dhe kjo përbën një përparësi madhore”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha.
“Reforma në drejtësi, opozita t’i përbahet paktit”/Kryeministri Sali Berisha, i bën thirrje opozitës që të japë bashkëpunimin e saj për të vazhduar reformën në drejtësi. “Reforma në sistemin e drejtësisë do të vazhdojë dhe unë ftoj opozitën, që në interesin më të mirë të vendit dhe të gjithë forcave politike pa përjashtim, t’i përmbahet paktit të votuar në Parlament”, u shpreh Berisha. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha kërkoi respektim të paktit të reformës në drejtësi, duke theksuar se reformat në këtë sektor nuk do të ndalen. “Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për sistemin në drejtësi dhe ne i qëndrojmë atij. Unë e ftoj opozitën, në interesin më të mirë të vendit dhe të të gjitha forcave politike pa përjashtim, që t’i përmbahet paktit të votuar në Parlament. E garantoj se ne jemi të vendosur t’i kalojmë këto ligje me konsensusin më të gjerë të mundshëm”, nënvizoi Berisha.
...