Ja cilat kane qenë qëndrimet e selisë ylberiste mbi këtë çështje në 14 muajt e fundit
PS ndërron kursin me 360 gradë për reformën në drejtësi
Ndërsa qëndrimi i mazhorancës aktuale ka qenë konstant “pro” një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, opozita e majtë ka qenë tejet e dyzuar dhe në jo pak raste është detyruar që të përgënjështrojë veten. Në harkun kohor të 14 muajve, vetë kryesocialisti Edi Rama ka ndryshuar me 360 gradë kursin politik të partisë që ai drejton. Nga një promotor në dukje i reformave të mëdha dhe ngushtësisht ai asaj në drejtësi, Rama është shndërruar aktualisht në pengesën kryesore të kësaj reforme duke kundërshtuar me forcë dhënien e çdo lloj konsensusi për këtë reformë. Në fundin e muajit gusht të vitit 2007, një tryezë e gjerë me përfaqësues të partive politike, grupeve të interesit apo thjesht ekspertë, e organizuar nga Presidenti i Republikës, riktheu në vëmendjen kryesore këtë reformë jetike për të ardhmen integruese të Shqipërisë e mbi të gjitha që përcakton edhe fatin e betejës antikorrupsion. Pasi u perifrazuan recetat e zakonshme, palët konkluduan njëzëri në vullnetin e përbashkët politik për krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Nën këtë valë entuziazmi, kreu i shtetit propozoi krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar në Parlament që të asistohej nga një grup ekspertësh, përfaqësues të institucioneve kushtetuese, të gjyqësorit, të ekzekutivit, të Ministrisë së Drejtësisë dhe ekspertë të forcave politike e të vetë kuvendit. Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare Socialiste në fillim të muajit shtator, pas zgjedhjeve presidenciale të korrikut 2007, kreu i PS-së pasi damkosi si tradhëtarë deputetët që votuan pro Bamir Topit, shpalosi platformën 5-pikëshe të Partisë Socialiste ku mes të tjerash theksohej domosdoshmëria e ndërmarrjes së një reforme të thellë në sistemin gjyqësor shqiptar, reformë për të cilën selia rozë shfaqte gatishmërinë e saj të plotë për të dhënë konsensusin si dhe asistencën e nevojshme ligjore. Propozimet u mirëpritën nga ana e Partisë Demokratike, megjithatë zgjedhja e një titullareje të re në krye të organit të akuzës dhe largimi nga kjo detyrë e Dhori Sollakut, u ridhanë jetë polemikave të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. “Kurbani” i parë i riacarimit të marrëdhënieve mes dy kampeve ishte ndërhyrja e parë që u vendos të kryhet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në dhjetor të vitit të kaluar me iniciativën e vetë kryetarit të tij. Në një kohë që përfaqësuesit e maxhorancës i kanë bërë thirrje opozitës që të bëhej pjesë e reformës, ish-ministri socialist i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, përgjigjej se “reforma në drejtësi nuk bëhet me fushata”. Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, shkoi dhe më tej duke hedhur akuza se kjo reforme “ishte inicuar nga kryeministri Berisha për interesat e tij të ngushta”. Viti i ri gjen mendje më të kthjellëta dhe Partia Socialiste në fillim paraqit në fund të muajit janar 2008 një rezolutë pro reformës në drejtësi dhe më pas paraqet për miratim një Plan Veprimi në lidhje me këtë reformë. Shumë shpejt edhe Lëvizja Socialiste për Integrim hyn në lojë duke paraqitur edhe ajo një draft mbi këtë reformë. Kjo garë e brendshme PS-LSI për “konstruktivitet” për këtë reformë nxitej edhe nga sinjalet e qarta se në Samitin e NATO-s në Bukuresht në datat 2-4 prill, Shqipëria do të merrte ftesën e anatarësimit në aleancë, bashkëngjitur me kërkesën për përshpejtimin e reformave të mëdha. Në fund të muajit shkurt, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme harton projektrligjin e ri për këtë organ, ndërsa ekspertët përgatitën edhe projektligjin për administratën gjyqësore. Deri më 31 janar, kryetari i atëhershëm i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, konfirmoi se nga projektligji për reformën në drejtësi ishin miratuar 33 nene në një kohë që disa ishin lënë në dy variante. Beja do të deklaronte se paketa e Partise Socialiste për reformën në drejtësi nuk do të mund të ishte pjesë e punës së Komisionit përsa kohë ai mbetej në nivelin e një pakti apo mesazhi politik. Ngjarja tragjike e Gërdecit, pavarësisht keqpërdorimit fillestar, nuk ndikoi negativisht përsa i përket bashkëpunimit PD-PS për reformën zgjedhore, edhe pse selia ylberiste provokohej vazhdimisht nga LSI-ja e Ilir Metës për një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin Sali Berisha, duke iu referuar disa ndryshimeve të rëndësishme në Kushtetutë që kishin të bënin me kompetencat e kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, KQZ etj. Pikërisht në këtë kohë në maj të këtij viti, dy partitë e mëdha shkrijnë dy platformat vetjake në një draft-rezolutë për reformën në drejtësi, ku spikaste zgjidhja e konfliktit të vazhdueshëm mes inspektoriateve të KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë si dhe kufizimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Po në këtë periudhë filloi nga puna nënkomisioni për reformën në drejtësi, i cili do të përcaktonte edhe kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Gradualisht forcat refraktare kundër kësaj reforme u riaktivizuan ndërsa PS vlerësoi se kishte sërish rastin për të përfituar politikisht nga kjo betejë që kishte përfshirë KLD, Prokurorinë, Gjykatat dhe grupet e interesit. Në 12 shtator 2008, Sekretari për Çështjet Ligjore ne Partinë Socialiste do të njoftonte ndërprerjen e çdo bashkëpunimi me mazhorancën për reformën në drejtësi, ndërsa dy ditë më parë kreu i PS-së e rikonfirmoi këtë vendim me justifikimin se kryeministri Berisha për shkak të ngjarjes së Gërdeci ndodhet siaps tij në konflikt me drejtësinë.
Ja çfarë përmbante draft rezoluta PD-PS e hartuar në maj të këtij viti
1. Eliminimit gradual të fragmentarizimit të skajshëm që karakterizon sot qeverisjen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, duke grumbulluar më shumë funksione në Këshillin e Lartë të Drejtësisë
2. Administrimit nga ana e KLD-së të burimeve financiare të sistemit gjyqësor, kombinuar me elementë të autonomisë së administrimit financiar të vetë gjykatave
3. Përcaktimit të KLD-së si organi i vetëm gjykues dhe vendimmarrës për përgjegjësitë disiplinore sipas ligjit të Gjyqtarëve, bazuar në një proces të drejtë ligjor, në të cilin, ministri i Drejtësisë, në emër të interesit publik, konstaton shkeljet, formulon pretendimet dhe i paraqet ato në KLD.
4. Riformatimit të konferencës gjyqësore kombëtare, duke i dhënë rol më të madh në diskutimin e reformave në sistemin e drejtësisë, si dhe përmirësuar më tej procedurat e saj vendimmarrëse në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, duke siguruar një konkurrencë të drejtë, të hapur, me kritere të rishikuara dhe me përfaqësues për të gjitha shkallët dhe juridiksionet e gjykatave, përmes parimit një anëtar një votë
Reformimi i prokurorisë - reforma në pushtetin gjyqësor mund dhe duhet të zhvillohet në harmoni me masat legjislative dhe duhet të reformojnë organin e prokurorisë. Këto masa duhet te synojnë:
1. Ridimensionimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë, brenda kuadrit kushtetues në fuqi, në emërimin, vlerësimin, ngritjen në detyre, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve, duke e kthyer këtë organ si të vetmin forum kolegjial përgjegjës për propozimet, karrierën dhe masat disiplinore ndaj prokurorëve. Ky këshill duhet të adoptojë rregulla që sigurojnë transparencën dhe konkurrimin brenda radhëve të prokurorisë për të gjitha pozicionet.
2. Përcaktimi i qartë i statusit të prokurorit në një proces hetimor dhe gjyqësor duke i siguruar autonominë e nevojshme profesionale dhe shmangur centralizimin gati absolut ne vendimmarrje
3. Përmirësimi thelbësor i organizimit hierarkik, lëndor dhe territorial të sistemit të prokurorisë.
4. Brenda pozicionit kushtetues të rolit të prokurorisë, të përmirësohen dhe të qartësohen mbi rolin dhe bashkëveprimin mes prokurorisë dhe policisë gjyqësore, duke saktësuar rastet dhe mënyrat e delegimit të kompetencave ose detyrave hetimore tek punonjësit e policisë gjyqësore, si dhe rolin e prokurorit në vlerësimin e kryerjes së duhur të kompetencave të deleguara dhe detyrave të dhëna nga këta punonjës.
5. Konsolidimi i rolit të policisë gjyqësore, duke krijuar mekanizmat e nevojshëm, rekrutimi dhe karriera e policëve gjyqësorë të jetë në harmoni me vlerësimet e dhëna nga organi i prokurorisë
6. Kufizimi kohor i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm me qëllim sigurinë juridike në ushtrimin e funksionimit dhe shmangien përfundimtare të debatit politik për këtë çështje.
...