E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeparlamentari boshnjak: Hapat integruese të Shqipërisë, shembull për vendet e rajonit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim Kryetarin e Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Niko Lozançiç, i cili ndodhet në Shqipëri me ftesë të Topallit. Biseda e dy kryeparlamentarëve u përqëndrua në Integrimi i Ballkanit në Bashkimin Europian, i cili nis nga integrimi rajonal. Një çështje tjetër me mjaft rëndësi ku dy Krerët e Parlamenteve u fokusuan ishte dhe heqja e regjimit të vizave mes dy vendeve, rritja e bashkëpunimt ekonomik dhe dinamizimi i përpjekjeve të përbashkëta rajonale për tërheqjen e financimeve të BE-së për infrastrukturën e Ballkanit . Duke nënvizuar intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, me vizita të nivelit të lartë si ajo e Presidentit Silajxhić, Kryetarit të parlamentit Lozançiç dhe vizita e pritshme e Kryeministrit Spiric, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që brenda një viti ka më shumë shkëmbime se ç’ka pasur pak kohë më parë. Përfaqësuesit e delegacionit të Bosnje-Hercegovinës, vend i cili në qershor ka nënshkruar MSA-në me BE-në, theksuan se ritmi i proceseve integruese të Shqipërisë është shembull për vendet e tjera të rajonit. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se “jam shumë e kënaqur, tha Kryetarja e Kuvendit, që kemi patur një ritëm unik të ratifikimit të MSA-së dhe është e rëndësishme që vendet e rajonit të bashkëpunojnë për përshpejtimin e integrimit rajonal në NATO dhe në BE, gjë që do t’i shërbejë rritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe zhvillimit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen dhe përvojën tonë në këtë proces”. Duke iu referuar zhvillimeve të pritshme Topalli u shpreh se “në dhjetor, tha Kryetarja e Kuvendit do të zhvillohet konferenca e vendeve të A3+2, pra Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë plus Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ky takim do të jetë një rast i mirë për treguar progresin e bërë dhe për të bindur BE-në në domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit”. Duke folur për çështjen e Kosovës, Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria mbështet pa asnjë rezervë autoritetet e Republikës së Kosovës. Janë këto autoritete që kanë legjimitetin për marrjen e vendimeve në raport me Republikën e Kosovës dhe zhvillimet në të. Lidhur me debatet e forta që ka shkaktuar plani Ban Ki Mun në Kosovë, Topalli u shpreh se “Besojmë se OKB, në vijim të udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm, do të ndërmarrë veprimet e duhura për përmbylljen në kohë të rikonfigurimit të misionit të saj nё Kosovё, në përshtatje me realitetin e ri të krijuar atje, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës vendase. Shmangia e çdo vakumi pushteti, sqarimi i raporteve UNMIK – EULEX – NATO (KFOR), duke përjashtuar kategorikisht mundësinë për “ndarjen gjeografike” të shtrirjes së tyre në territorin e Kosovës, shmangia e çdo ndarje institucionale mbi baza etnike, si dhe e mbivendosjes së kompetencave janë disa nga hapat vendimtarë që do të parandalonin përshkallëzimin e situatës, veçanërisht, në komunat me shumicë serbe në Kosovë”. Lidhur me qëndrimin e Tiranës zyrtare, Topalli u shpreh se “Shqipëria bashkohet me mendimin që Misioni i BE, EULEX, i shtrirë në gjithë territorin e Kosovës, bazuar në Planin Ahtisari, të funksionalizohet plotësisht brenda afatit të përcaktuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Shqipëria është e bindur se paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike, angazhimi për ndërtimin e një shteti paralel, që cënojnë tërësinë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë. Duke kundërshtuar kategorikisht ndarjen e Kosovës, Shqipëria konfirmon angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë”. Më tej, biseda u përqendrua në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve por edhe mes vendeve të rajonit, ku u theksua se shtetet e Ballkanit duhet t’i japin një dinamikë të re bashkëpunimit për të nxitur Bashkimin Europian të financojë Koridoret e rëndësishme rajonale. Biseda u ndal edhe në lidhjen e fortë mes minoriteteve boshnjake dhe shqiptare në dy vendet, dhe në rëndësinë që ato kanë si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Bosnje- Hercegovinës. Pas takimit Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryetarit i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës Niko Lozançiç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, bëri të ditur se në takim “folëm mbi nevojën e lobimit që ne vendet e Ballkanit, të marrim nga BE, fonde të rëndësishme për infrastrukturën e Ballkanit”. Sipas znj. Topallit deri në këto momente, “nuk është arritur të marrim fonde të mëdha për infrastrukturën dhe të gjitha këto takime, duke filluar nga Bullgaria, Maqedonia e Bosnje -Hercegovina, janë të fokusuar për ta parë me një këndvështrim të veçantë sesi ne të lobojmë për të arritur, që të bindim Komisionin Europian, Bashkimi Europian për të sjellur më shumë investime financiare, për projekte të rëndësishme infrastrukturore në Ballkan”. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “BE ka investuar në fushën diplomatike, politike dhe atë ushtarake; Është radha dhe momenti që të mendojnë seriozisht për të investuar në infrastrukturën e Ballkanit”. Nga ana e tij Kryetari i Bosnje-Hercegovinës Niko Lozançiç, rreth takimit u shpreh se “së bashku duhet të kërkojmë nga qeveritë tona dhe të përshpejtojmë procedurat e negocimit në mënyrë që të liberalizohet sistemi i vizave dhe në fund të arrihet heqja e vizave midis dy vendeve tona”. Lozançiç bëri të ditur se në takim “u fol për rëndësinë e pakicave kombëtare që jetojnë në të dy vendet tona, si: minoritetin shqiptar që banon në Bosnjë-Hercegovinë dhe minoritetin boshnjak që banon në Shqipëri”. “Ne mendojmë se këto minoritete mund të jenë një urë lidhëse shumë e mirë për vendet tona dhe të kotribuojnë në marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona”. Duke falenderuar për ftesën Lozançiç u shpreh se “shpresoj që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të vazhdojë dhe në të ardhmen për përfitimet e të dyja palëve”....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›