Berisha: Mirënjohje të thellë presidentit Bush dhe SHBA-ve, për certifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Kryeministri Berisha i shpreh Presidentit Bush mirënjohjen më të thellë për dy mesazhet e rëndësishme, që ai i dërgoi senatit në datë 21 nëntor 2008, me anë të të cilave, Presidenti Bush certifikon se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO do të sjellë veçse efekte pozitive për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sigurinë e saj. Në këto mesazhe, Presidenti Bush i konfirmon Senatit, se hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nuk do të ndikojë aspak në aftësitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbushur kërkesat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë jashtë zonës euroatlantike, si dhe inkurajon vendet aleate të mbyllin sa më shpejt procedurat e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO. Qeveria Shqiptare i vlerëson këto mesazhe të Presidentit Bush si një shprehje tjetër e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe e miqësisë dhe solidaritetit të ngushtë që ekziston midis kombit shqiptar dhe kombit të madh mik amerikan.
Kandaja, ratifikon brenda javës protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO/Në kuadër të vizitës në Ukrainë, zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deputeti i Partisë Demokratike, z. Aleksandër Biberaj, ka pasur një sërë takimesh të rëndësishme. Një takim të veçantë z. Biberaj ka pasur me ministrin kanadez të Emigracionit, z. Jason Kenney (i dërguari i kryeministrit kanadez Harper), nga i cili ka marrë konfirmimin se brenda javës Parlamenti Kanadez (Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati) do të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Z. Biberaj ka përfituar nga rasti për të uruar z. Kenney, si dhe nëpërmjet tij Partinë Konservatore Kanadeze dhe Kryeministrin Harper për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të 14 tetorit 2008. Biberaj është takuar gjithashtu me Presidentin i Polonisë, z. Kaczynski, me Presidentin e Letonisë, z. Zatlers, me Presidentin e Lituanisë, z. Adamkus, me zv. Presidentin e Parlamentit Europian, z. Adam Bielan, me Kryetaren e Parlamentit të Estonisë, znj. Ene Ergma, si dhe me kryetarë të delegacioneve nga vënde të ndryshme, pjesëmarrës në Forum. Në këto takime z. Biberaj ka diskutuar për marrëdhëniet e KE-së me këto vende si dhe për marrëdhëniet bilaterale të Shqipërisë me këto vende. Në përfundim të Forumit Ndërkombëtar për 75 vjetorin e Holodomor, në qendër të Kievit është përuruar një memorial madhështor në nderim të viktimave të komunizmit, ku z. Biberaj ka vendosur një kurorë në emër të KE-së.
...