E Diel, 1 Nëntor 2026

Groenlanda hedh një hap tjetër drejt pavarësisë nga Danimarka

Ishulli Arktik i Groenlandës ka miratuar parimin e vetëvendosjes, hapi më i fundit në procesin e pavarësisë së plotë nga Danimarka. Hapi në fjalë ka pasuar një referendum popullor për më shumë autonomi, i zhvilluar në nëntorin e vitit të shkuar. Kjo për autoritetet e ishullit do të thotë përfitimin e një pjese më të madhe të ardhurash, që vijnë si rezultat i shfrytëzimit të burimeve të tij natyrore.

Autoritetet qeverisëse lokale po vënë nën kontroll forcat e ruajtjes së rendit dhe sistemin gjyqësor. Ndërkaq, groenlandishtja - apo siç e quajnë vendasit kalaallisut, bëhet gjuha zyrtare e përdorur nga banorët. Ndërsa fjala e fundit lidhur me problemet që kanë të bëjnë me çështje tepër të rëndësishme, siç është mbrojtja apo politikat e jashtme, i mbetet Danimarkës.

Groenlanda gjendet nën kontrollin e Kopenhagenit që prej tre shekujsh dhe fitoi të drejtën e sovranitetit të kufizuar në vitin 1979. Por sistemi i ri i vetëvendosjes e afron më shumë ishullin dhe 57 mijë banorët e tij drejt pavarësisë së plotë. Groenlandezët - pjesa më e madhe e të cilëve i përkasin etnisë Inuit - do të trajtohen si popull më vete përpara ligjit ndërkombëtar.

Pjesa më e madhe e burimeve natyrore, naftës, gazit, floririt dhe diamanteve që fsheh nëntoka, ka mbetur shumë gjatë e pashfrytëzuar për shkak të shtresës së trashë të akullit që mbulon pjesën dërrmuese të ishullit. Por ekspertët ndërkombëtarë janë të mendimit se fenomeni i ngrohjes globale, i shoqëruar prej shkrirjes së akullnajave, do ta lehtësojë ndjeshëm eksplorimin e pasurive nëntokësore.

Mbështetësit e pavarësisë nga Danimarka shpresojnë se shtimi i të ardhurave prej burimeve minerare do të ndihmojë në rritjen e fondeve që do të nevojiten më pas për shkëputjen e plotë nga Danimarka. Por analistët druhen se nxitjet për pavarësi do të lihen mënjanë nga qeveria e re majtiste e ishullit. Kryeministri i sapozgjedhur Kuupik Kleist ka këmbëngulur se qeveria duhet të përqendrohet më shumë te problemet e brendshme, siç janë alkoolizmi, dhuna në familje dhe përqindja e lartë e vetëvrasje. Aktualisht Groenlanda varet në masë shumë të madhe nga mbështetja financiare e qeverisë daneze, mbështetje që përbën 30 për qind të produktit të brendshëm bruto të ishullit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›