E Diel, 1 Nëntor 2026

"Përmeti Multikulturor", për të tetin vit radhazi në Shqipëri

U hap dje në qytetin jugor të Përmetit festivali ndërkombëtar i pakicave etnike, kulturore dhe gjuhësore "Përmeti multikulturor ‘09" një veprimtari kulturore që zhvillohet në Shqipëri nën siglën e CIOFF-it, që përfaqëson komitetin ndërkombëtar për organizimin e festivaleve folklorike. Prej dhjetë vitesh Shqipëria është e anëtarësuar duke bashkëpunuar në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkinë e qytetit të Përmetit dhe Këshillin e Muzikës Shqiptare. Për çeljen e kësaj veprimtarie të përvitshme nga organizatorët është zgjedhur 21 qershori, pasi kjo është data që UNESCO e ka shpallur si "Ditën Botërore të Muzikës" dhe për faktin tjetër se 21 qershori është dita më e gjatë e vitit. Festivali Folklorik Ndërkombëtar "Përmeti Multikulturor" sipas zotit Niko Mihali është e vetmja veprimtari kulturore artistike që përfshin folklorin e pakicave dhe etnive që bashkëjetojnë në Shqipëri. "Nga ana jonë është zgjedhur Përmeti, pasi ky është qyteti që ka llojshmëri kulturore. Atje bashkëjetojnë e ballafaqohen kulturat e etnive të ndryshme dhe është vendlindja e një vargu atdhetarësh dhe mendimtarësh të kulturës kombëtare shqiptare dhe pa dyshim edhe i mjeshtërve të këngës popullore si: Laver Bariu, Mentor Xhemali, Remzi Lela, etj., nënvizoi Niko Mihali", thotë ai. Përveç koncerteve, veprimtaria përfshin dhe shfaqje artistike, simpoziume, ekspozita, promovime botimesh etj. Në këtë edicion do të ngjiten mjaft grupe artistike mes të cilëve ansambli artistik "Myzeqeja" nga Lushnja, Grupi "Sazet e Kolonjës", Ansambli i Fëmijëve të Tiranës, "Jehona" nga Shuhareka e Kosovës, Ansambli Artistik "Karshiaka" nga Maqedonia, Grupi Polifonik i Qefallofrisos Greqi që përfaqëson etninë vllahe në rajon dhe mjaft grupe të tjera popullore nga zona e Përmetit. Festivali, i cili gjallëron jetën kulturore të zonës së Përmetit promovon dhe ballafaqon vlerat kulturore të etnive dhe pakicave në shkallë vendi dhe rajoni, duke nxitur frymën e paqes dhe të dashurisë mes grupeve etnike e popujve të rajonit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›