E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kolonel Zogu", nga Bullgaria në Elbasan

Aktorët e "Portokallisë" korrin sukses në teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit. Pjesa bullgare "Kolonel Zogu", e shfaqur mbrëmë në këtë teatër ka bërë për vete publikun elbasanas. Nën regjinë e Alfred Trebickës dhe skenografinë e Fatbardh Markut, tragjikomedia "Kolonel Zogu" e autorit bullgar, Hristo Bojçev, u shfaq për herë të parë në tetarin "Skampa". Vepra, ndër më të njohurat në Ballkan, u përcoll nën interpretimin e aktorëve: Romir Zalla, Erjona Kakeli, Marin Orhanasi, Salsano Rrapi, Roland Saro, Ledio Lako etj". Vepra është sa bullgare aq dhe ballkanike për tematikën që trajton rreth raporteve me vetveten dhe komunitetin ndërkombëtar", tha regjisori Trebicka. Sipas tij, gjuha metaforike nëpërmjet personazheve simbolizon oshilacionet, pse jo dhe anarkinë postkomuniste te vendet e Ballkanit, ndërkohë që dëshira për t‘u integruar në botën perëndimore dhe të qytetëruar, mbetet ende një ëndërr për këtë rajon. "Kjo vepër kërkon shumë energji si të karakterit të brendshëm, ashtu edhe atij fizik. Kjo është një ndër arsyet që kjo premierë që nis të shfaqet për herë të parë në Elbasan është ndërtuar me një grup aktorësh të rinj në moshë, por mjaft profesionistë", ka sqaruar Trebicka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›