E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmedinexhad: Mjaft më me ndërhyrjet nga jashtë

Nuk ndalet dhuna në Iran pas akuzave të reformistit Husein Musavi për manipulimin e zgjedhjeve të pak ditëve më parë, gjë që mbajti në pushtet për një mandat të dytë presidencial Mahmud Ahmedinexhad. Dhe që prej së shtunës, një ditë pasi lideri shpirtëror iranian Ajatollah Kamenei u vendos zyrtarisht përkrah Ahmedinexhadit, përplasjet mes mbështetësve të Musavit dhe forcave qeveritare bëhen hapur dhe janë kthyer në një fenomen që ka pushtuar rrugët e Teheranit.

"Mjaft me ndërhyrjet nga jashtë"

Dje foli publikisht edhe Presidenti i saporizgjedhur, i cili e shfrytëzoi rastin për t‘u kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe të reshtnin së ndërhyri në punët e brendshme të Iranit. "Po të marrim në konsideratë qëndrimet tuaja të papranueshme, nuk mund të konsideroheni më miq të kombit iranian. Për këtë arsye ju këshilloj: korrigjoni sjelljen tuaj", tha Ahmedinexhad gjatë një takimi me mësues e klerikë të lartë iranianë. Presidenti ua drejtonte këto fjalë kritikave të shumta që u janë bërë autoriteteve iraniane nga ana e disa shteteve perëndimore mbi zhvillimin e procesit zgjedhor dhe refuzimit për të përmbushur kërkesat e opozitës. Edhe presidenti i Parlamentit iranian, Ali Larixhani, gjatë një fjalimi të mbajtur përpara Asamblesë, kërkoi rishikimin e raporteve me Britaninë e Madhe, Francën e Gjermaninë, nën dritën e atyre që i konsideroi "deklaratë të turpshme" mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Merkel: Të rinumërohen votat

Ndërkaq vazhdon presioni i komunitetit ndërkombëtar mbi autoritetet e larta iraniane. Kancelarja gjermane Angela Merkel i kërkoi qeverisë t‘i qëndronte larg dhunës kundër manifestuesve dhe këshilloi përsëritjen e numërimit të votave. Nga Londra, ministri i Jashtëm britanik, Deivid Miliband, hodhi poshtë akuzat, sipas të cilave protestat kundër manipulimeve orkestrohen në Londër. "Nuk është e vërtetë që manifestimet manipulohen nga jashtë. E hedh poshtë kategorikisht këtë ide. Britania e Madhe i qëndron bindjes së patundur se i përket popullit iranian zgjedhja e qeverisë së vet", tha numri një i diplomacisë britanike në një deklaratë për shtyp.

Viktimat, në radhët e protestuesve

Manifestimi i parë i paautorizuar në Teheran, i zhvilluar të shtunën, mori përmasat e një tragjedie. Rrjeti televiziv amerikan CNN deklaron të paktën 19 të vrarë, por u bën jehonë edhe burimeve jozyrtare (të mbledhura në internet), të cilat flasin për 150 të vdekur e qindra të plagosur.

Lufta mediatike

Beteja në Iran nuk zhvillohet vetëm shesheve të Teheranit, por edhe nëpër organet mediatike. Pasi autoritetet vendase dëbuan reporterët e huaj, lajmet mbërrijnë me vështirësi nëpër agjencitë e huaja. Opozita ia ka besuar përhapjen e lajmeve internetit, blogjeve e siteve sociale. Ndërsa qeveria replikon përmes televizioneve, gazetave e radiove shtetërore.

Arrestimi i vajzës së ish-presidentit

Ndërkaq mësohet se vazhdojnë arrestimet e njerëzve me profil të lartë politik: gjatë protestave të së shtunës janë ndaluar vajza e ish-presidentit Akbar Hashemi-Rafsanxhani bashkë me katër të afërm të tjerë. Sipas agjencisë "Fars", arrestimi u bë nën akuzën e përfshirjes së drejtpërdrejtë në protestat kundër qeverisë. Përpara votimeve Ahmedinexhad i kishte akuzuar Rafsanxhanin dhe bijtë e tij për korrupsion dhe si një prej sponsorizuesve kryesorë të Musavit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›