Gropa në qendër të Tiranës, përplaset Rendi me Bashkinë
Mbushja me dhe e gropës pas Dhomës së Tregtisë, në qendër të Tiranës, ka rikthyer sërish përplasjet midis Policisë Bashkiake dhe asaj të Rendit, për të tretën ditë radhazi. Mbrëmjen e djeshme, Policia Bashkiake e kryeqytetit u përpoq sërish të pengonte fadromën që po punonte në mbushjen e gropës me dhé, ndërsa Policia e Rendit ndërhyri për të mos penguar punën. Përplasja filloi mbrëmjen e të mërkurës, kur Policia Bashkiake pengoi fadromën që po hiqte billborderat që ndodheshin jashtë murit rrethues të gropës së hapur vite më parë për ndërtimin e një pallati. Ndërhyrja e forcave të rendit zhbllokoi situatën, duke bërë që pas heqjes së billborderave të shembej muri rrethues i gropës dhe aty të hidheshin sasitë e para të dheut dhe inerteve, të cilat u sheshuan nga një fadromë. Policia e Rendit pohoi se po vepronte në këtë mënyrë, në zbatim të vendimit të nxjerrë nga Inspektorati i Ndërtimit, i cili kishte vendosur mbushjen e gropës dhe rikthimin e saj në një hapësirë të blertë dhe çlodhëse për qytetarët. Por Policia Bashkiake, duke pretenduar se gropa administrohej prej Bashkisë si pushtet lokal, nuk duhej të mbushej, por të qëndronte në atë mënyrë, derisa të ndërtohej pallati i nisur. Kjo ka sjellë përplasje mes dy policive, ndërsa mësohet se grindjet kanë arritur saqë efektivë nga të dyja palët janë shtyrë me njëri-tjetrin. Në lidhje me situatën e krijuar mbrëmë reagoi Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e cila përmes Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar po punon për mbylljen e gropës në fillim të rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. “Gropa që ka shërbyer deri dje si një vend i rrethuar hedhurinash ndodhet në një truall pronë shtetërore. Në mënyrë të paligjshme aty patën filluar përpjekje për ndërtimin e një shumëkatëshi, klient të afërt të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama. Me ndërhyrjen që po bëhet, kjo gropë mbeturinash do të shndërrohet në një hapësirë publike, sikurse u veprua me ish-gropën e Hajdin Sejdisë prapa Teatrit të Operas, që sot është një lulishte në funksion të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e MPPTT. e.d/f.m