Vdes në qelitë greke, shqiptari trafikant droge
GREQI - Një 37-vjeçar shqiptar ka vdekur në rrethana të paqarta në një burg në Greqi. Sipas mediave helene, Gentian Telha vuante dënimin në burgun e Patras. Shqiptari ishte i dënuar për trafik droge disa vjet më parë, ndërsa së fundmi ishte transferuar në burgun e Patras për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia helene. Deri mbrëmjen e së premtes nuk u publikua asnjë e dhënë mbi shkaqet e vdekjes së të riut shqiptar, ndërsa mendohet se ai mund të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje. Gjatë ditës së djeshme trupi i pajetë i shqiptarit të vdekur në qeli është transportuar nga burgu i Patras për në spitalin rajonal të kësaj zone, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore, e cila do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes së tij. Më pas, pas kryerjes së procedurave ligjore, pritet që trupi i pajetë i të riut t’iu dorëzohet familjarëve të tij për t’i bërë nderimet e fundit. Ende nuk dihet se nga cili qytet shqiptar ishte origjina e të riut të vdekur në qeli. Po kështu nuk dihet nëse trupi i pajetë i tij do të përcillet në vendlindje apo do të varroset në Greqi. Mediat helene pohuan dje se nëpër burgjet greke ndodhen një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të dënuar për vepra të ndryshme, mes të cilëve edhe trafikantë të narkotikëve. Duke qenë se hashashi i kultivuar në Shqipëri mbulon një pjesë të konsiderueshme të tregut helen, në rrjetën e policisë së këtij vendi bien mjaft të rinj shqiptarë, të cilët tentojnë të dërgojnë sasi të ndryshme narkotikësh. fa.ma.