Vrasja e Klenti Banos, Dondollaku tenton t’i shpëtojë burgut përjetë
TIRANE – Enver Dondollaku, i cilësuar si krahu i djathtë i Aldo Bares, tenton sërish të eliminojë “rrezikun” e dënimit me burgim të përjetshëm nga Gjykata për Krimet e Rënda. Ndërsa dje ishte seanca e parë e rigjykimit të dosjes në ngarkim të tij me akuzën e “vrasjes”, përfshi ato të Klenti Banos, Bledar Haxhiut e Artan Sulës, avokati i tij mbrojtës artikuloi kërkesën për gjykim të shkurtuar. Dosja me të pandehur Enver Dondollakun, që aktualisht është duke kryer dënimin për një vepër tjetër penale në shtetin italian, u kthye për rigjykim në vitin 2008. Në shkallën e parë ai ishte dënuar me 25 vjet heqje lirie. Në seancën e djeshme, pesëshja gjyqësore përbëhej nga gjyqtarë të deleguar nga Gjykata e Tiranës, për shkak se të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda janë “konsumuar” gjatë shqyrtimeve të tjera në ngarkim të Dondollakut. Fillimisht trupa e kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku nuk pranoi kërkesën e Prokurorisë për të rinjoftuar Dondollakun në Itali me anë të letërporosive, për fillimin e rishqyrtimit të dosjes së tij te Krimet e Rënda. Referuar prokurës me të cilën Dondollaku i jepte të drejtën e përfaqësimit avokatit të tij, gjykata vendosi vijim e gjykimit në mungesë të të pandehurit. Mbrojtësi ligjor i Dondollakut, avokati Vladimir Meçe kërkoi nga gjykata gjykim me kohë të shkurtuar, ndërsa seanca u shty me kërkesë të prokurorit, i cili kërkoi kohë për të shfaqur pretendimet e akuzës në lidhje me këtë kërkesë.
Sipas Prokurorisë, ai akuzohet për vrasjen në bashkëpunim të oficerit të policisë gjyqësore në Lushnjës, Klenti Bano me 14 prill të vitit 2000, vrasjen e Bledar Haxhisë dhe Artan Sulces, me 13 nëntor 1998, vrasjen e Nosh Gjelajt më 19 prill 2001, tentativën e vrasjes në dëm të Bernard Linatopit, si dhe vrasjen e Alfred Pirrës më 23 prill 2002, si dhe vënien e bombës në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnje, më 25 mars 2000. ar.ba