Tirana bën kampionen në Shkodër
Leonard Karaj
Tirana ka mundur dje në “Loro Boriçi” Vllazninë, falë një goli të Gjegji Muzakës.Bardheblutë e Alban Tafajt, nga ferri në parajsë, ndërsa kuqeblutë e Luçit thellojnë edhe më tej krizën duke prekur fundin e renditjes së përgjithshme të Superligës. Ka mjaftuar një gol i mesfushorit Gjergji Muzaka në minutën e 28-të që kampionët në fuqi të dilnin nga Shkodra me petkun e fitimtarit. Për t’u theksuar është fakti se Vllaznia dominoi në aspektin e zotërimit të hapësirës territoriale, por Tirana ishte më e qartë taktikisht. Kapiteni i skuadrës shkodrane, Vioresin Sinanin, edhe në këtë takim nuk e gjeti rrugën e rrjetës. Për Vllazninë, 7 pikë në 9 ndeshje, kjo ishte humbja e parë në Shkodër dhe e gjashta sezonale. 9-herë kampionët e Shqipërisë janë zhytur totalisht në një krizë të gjithanshme identiteti dhe sportive. Dështimi me Tiranën është paralajmërimi më i qartë se Vllaznia, që edhe pse ka zëvendësuar Hasan Likën me Roland Luçin, mund të përjetojë sezonin më të keq në historinë e saj futbollistike, pasi dergjet prej javësh në dy vendet e fundit të Superligës. Sa për azhurnim statistike, dy skuadrat kanë zhvilluar deri tani midis tyre 153 ndeshje. Bilanci: 71 fitore Tirana, 35 barazime, 47 fitore Vllaznia. Golat: 218-178 për Tiranën. Në 30 ndeshjet e zhvilluara nga sezoni 1999-2000, dominimi i Tiranës është i qartë: 27 fitore Tirana, 6 barazime, 4 fitore Vllaznia. Golat 60-29 për Tiranën. Ndërkohë sot do të jetë radha e kryesuesve, Dinamos për të testuar veten përballë debutuesve të Gramozit. Ndërsa një ndeshje me mjaft interes do të luhet edhe në Fier ku vendasit e drejtuar nga Esad Karishik do të presin Flamurtarin e Gugash Maganit, në ditët e veta më të këqija. Vlonjatët, pa 6 lojtarë të pezulluar do të luajnë edhe për një pikë në “Loni Papuçiu”. Ndërsa nesër do të jetë radha e Besës, e cila do të luajë në transfertë ndaj Kastriotit.