E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslimanët e shkarkuar, hedhin në gjyq Komunitetin

 

Tre anëtarët e shkarkuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë paditin në gjykatë kryesinë e këtij institucioni. Pas nënkryetarit të shkarkuar Saimir Rusheku, mësohet se edhe dy besimtarë, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Myslimanëve do i drejtohen gjykatës së kryeqytetit për të rifituar postet e tyre, nga të cilët pretendojnë se janë shkarkuar padrejtësisht. Ilir Hoxholli, anëtar i zgjedhur nga besimtarët kryeqytetas, për t’i përfaqësuar ata në Këshillin e Përgjithshëm të KMSH, tha dje se do i drejtohet gjykatës për të rivendosur të drejtën e tij. Po kështu sipas tij, edhe i shkarkuari tjetër, Haxhi Mesiti, i cili u shkarkua në të njëjtën mënyrë, tha se edhe ai do t‘i drejtohej gjykatës. Hoxholli pohoi se aktualisht ndodhet duke komunikuar me studion ligjore për të bërë kërkesë-padinë dhe t’i përfaqësuar ata në gjykim më pas. Sipas Hoxhollit, me shkarkimet e anëtarëve të Këshillit është shkelur statuti me të cilin funksionon institucioni i myslimanëve. Duke vazhduar me këto argumente, ai tha se shkarkimi ka qenë i menjëhershëm, edhe pse nuk ishte emëruar në atë Këshill por ishte zgjedhur nga besimtarët. Sipas tij, shkarkimi duhet të vinte nga besimtarët, ndërsa në fakt këta ishin shkarkuar dhe zëvendësuar në mënyrë arbitrare nga krerët e KMSH-së. Ndërkohë nuk dihet nëse tre të shkarkuarit e tjerë nga Këshilli do t’i drejtohen apo jo gjykatës me padi, apo do pranojnë vendimin e komunikuar nga Muça. Aktualisht ish-kryetari i Këshillit Ali Hoxha, ndodhet në proces gjyqësor pasi pretendon gjithashtu se është shkarkuar në mënyrë arbitrare. Ai ka depozituar edhe një kallëzim penal në prokurori, duke pretenduar se veç shkarkimit të padrejtë, është falsifikuar edhe protokolli i mbledhjes për shkarkimin e tij. Kallëzimi penal është pushuar disa herë nga Prokuroria për mungesë provash, por gjykata ka urdhëruar hetimin e mëtejshëm. Ndërsa pak ditë më parë, Saimir Rysheku, nënkryetari i shkarkuar më datë 9 tetor, depozitoi në gjykatën e Tiranës padinë e tij duke pretenduar se ishte shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga posti i numrit dy të KMSH-së dhe ishte emëruar në një detyrë shumë herë më të ulët në Drejtorinë e Kulturës në KMSH. Në fillim të kësaj jave pritet që padia e tij të hidhet në short, ku do të përcaktohet gjykatësi që do e shqyrtojë atë. Ndërkohë nga ana e KMSH-së nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar gjatë këtyre ditëve, në lidhje me 6 shkarkimet në këtë institucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›